Analistët: Partitë duhet t’i dëgjojnë qytetarët për listat e deputetëve (VIDEO)

Partitë politike brenda tre ditëve duhet t’i dorëzojnë në KSHZ, listat e kandidatëve për deputetët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 12 prillit. Ndërkohë, në opinion kanë dalë disa nga emrat e kandidatëve. BDI-ja e para ka shpalosur emrat e bartësve të listave kurse LSDM-ja emrat do t’i publikojë sonte. Gazeta LAJM ka intervistuar analistin Blerim Hyseni dhe gazetarin Naim Sinani, të cilët kanë komentuar emrat e kandidatëve që po lakohen në opinion. Hyseni dhe Sinani, kanë folur edhe për nevojën e freskimit të listave me emra të rinj, për koalicionet parazgjedhore, si dhe kanë dhënë parashikimet e tyre për situatën pas ditës së votimeve. “Mendoj që kësaj here janë bërë disa ndryshime sa i përket përpilimit të listave të kandidatëve edhe pse konsideroj që është herët për të dhënë një parashikim më të saktë dhe më gjithëpërfshirës sepse ende nuk janë hartuar tërësisht listat nëpër njësi zgjedhore. Megjithatë, mendoj se kësaj here mungojnë disa emra që më herët ishin nëpër lista zgjedhore dhe plotësimi i emrave të mëtejshëm me siguri se do të jetë një përzierje e gjeneratave në listat zgjedhore sepse kjo është kërkuar nga opinioni. Partitë politike duhet ta kenë parasysh zërin e qytetarëve kur përpilojnë listat e kandidatëve për deputetë”, tha mes tjerash, Blerim Hyseni, për gazetën LAJM. “Secila nga partitë politike është munduar që të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që ata kanë vlerësuar se mund të ju sjellin në konto numër më të madh votash, por në disa momente janë bërë edhe kalkulime në bazë të interesave të degëve sepse në disa parti grupacione të caktuara kanë arritur të imponojnë edhe vullnetin e tyre dhe jo gjithmonë është bërë kandidati favorit. Megjithatë, dihet se kryetarët e partive vendosin për emrat e kandidatëve, andaj duhet të presim listat përfundimtare për të parë nëse do të ketë mjaftueshëm emra të ri në lista”, tha Naim Sinani për gazetën LAJM. Intervistat e plota mund t’i ndiqni në videon më poshtë.

Analistët: Partitë duhet t'i dëgjojnë qytetarët për listat e deputetëve (VIDEO)

Analistët: Partitë duhet t'i dëgjojnë qytetarët për listat e deputetëve (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Monday, March 9, 2020