Ameti: Grubi të gjykohet në bazë të ligjit, e jo të paragjykimeve apo presionit publik

Muhamet Ameti ka reaguar lidhur me rastin e Artan Grubit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimit të pafajësisë.

Ameti shprehet se çdo qytetar, pavarësisht funksionit apo emrit, përfshirë edhe Artan Grubin, meriton një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku vendimi duhet të bazohet vetëm në ligj dhe prova.

“Çdo qytetar, pavarësisht funksionit apo emrit, përfshirë edhe Artan Grubin, meriton një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar vetëm në ligj e në prova, jo në paragjykime, presion publik apo ‘gjykata të rrugës’”, ka shkruar Ameti.

Sipas tij, nëse ekzistojnë përgjegjësi, ato duhet të përcaktohen nga gjykata mbi bazën e fakteve dhe provave, ndërsa në mungesë të tyre, askush nuk duhet të dënohet politikisht apo publikisht para se të flasë drejtësia.

“Besimi në institucione ndërtohet vetëm atëherë kur ligji është i njëjtë për të gjithë dhe kur prezumimi i pafajësisë respektohet deri në vendimin përfundimtar”, thekson Ameti.

Në fund të reagimit të tij, ai ka shtuar: “Drejtësia nuk duhet të jetë kurrë spektakël dhe as mjet i trysnisë politike.”