Ambasadori: Kina as e dinte paraprakisht dhe as e mbështet luftën në Ukrainë

Kina nuk e dinte paraprakisht planin e Rusisë për një operacion ushtarak kundër Ukrainës dhe as nuk e mbështet atë, shkroi Qin Gang, ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, në një artikull të publikuar të martën në “The Washington Post”, lidhur me dezinformacionet e përhapura në media amerikane kundër Kinës në konfliktin e Ukrainës.

“Më lejoni ta them këtë me përgjegjësi: deklaratat se Kina e dinte, u pajtua ose e mbështeti në heshtje këtë luftë janë thjesht dezinformacion,” thekson Qin Gang në këtë artikull, që sipas tij synon t’i shpjegojë “plotësisht” popullit amerikan qëndrimin kinez ndaj konfliktit në Ukrainë dhe “të largojë çdo keqkuptim dhe thashethem”.

“Të gjitha këto pretendime i shërbejnë vetëm qëllimit për të fajësuar dhe njollosur Kinën,” shprehet ambasadori.

Duke vënë në dukje se kishte mbi 6 000 qytetarë kinezë në Ukrainë dhe se Kina është partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës dhe e Rusisë, ambasadori Qin thekson se konflikti ruso-ukrainas “nuk i bën mirë Kinës” dhe se Pekini do të kishte bërë të pamundurën për ta parandaluar këtë luftë nëse do të kishte njohuri paraprake për të.

Z. Qin Gang, Ambasadori kinez në ShBA(Foto:VCG)

Z. Qin Gang, Ambasadori kinez në ShBA(Foto:VCG)

“Lidhur me Ukrainën, qëndrimi i Kinës është objektiv dhe i paanshëm”, thotë ambasadori. “Duhet të zbatohen plotësisht qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së; duhet të respektohen sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, përfshirë Ukrainën; duhet të merren seriozisht shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve dhe duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës”.

Kina do të vazhdojë të bëjë përpjekje sipas mënyrës së saj për të promovuar bisedimet e paqes .

Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kundër Rusisë, të cilat janë përshkallëzuar, kanë shtuar vështirësitë me të cilat përballet rimëkëmbja e ekonomisë globale dhe kanë shkaktuar dëme të panevojshme mbi jetën e njerëzve në vende të ndryshme. Kina u bën thirrje të gjitha palëve të bëjnë më shumë për të promovuar bisedimet e paqes dhe jo të kundërtën.

Z. Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës(Foto:VCG)

Z. Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës(Foto:VCG)

Ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze kritikoi të hënën Shtetet e Bashkuara për përhapjen e dezinformacionit kundër Kinës.

Zëdhënësi Zhao Lijian hodhi poshtë pretendimin e disa zyrtarëve amerikanë se Rusia i kërkoi Kinës pajisje ushtarake.

Edhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e kundërshtoi po të hënën një pretendim të tillë.

Në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin Zhao Lijian tha se përpjekjet për të shtrembëruar qëllimet e Kinës dhe për të përhapur thashetheme për të njollosur Kinën janë “të papërgjegjshme e të pamoralshme”, dhe synojnë të provokojnë konfrontim e të sjellin përfitime nga konflikti.