Ambasada Amerikane: “Bechtel” nuk është pjesë e qeverisë amerikane dhe ne nuk marrim asnjë rol në negociata

Ambasada Amerikane në Shkup është distancuar nga marrëveshja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me konsorciumin “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10-d.

Ambasada theksoi se “Bechtel” është kompani amerikane dhe në nënshkrimin e kontratës me Qeverinë, si dhe në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Korridorit 8, ishte e pranishme edhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, por Ambasada, në përgjigje për Alfa Tv, thekson se kjo kompani nuk është subjekt i qeverisë amerikane dhe nuk janë as pjesë e negociatave dhe as nuk kanë ndonjë rol në kushtet e marrëveshjes.

“Bechtel nuk është pjesë e qeverisë amerikane dhe kjo nuk ishte një kontratë e qeverisë amerikane. Edhe pse Ambasada Amerikane nuk është e përfshirë në përcaktimin e rezultatit të investimeve private, nxitja e zhvillimit ekonomik dhe partneritetit tregtar midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbetet një nga misionet kryesore të Ambasadës. Ambasada ndonjëherë shërben si një kapacitet këshillues për klimën e biznesit në Maqedoninë e Veriut për kompanitë amerikane që kërkojnë të zgjerohen këtu, por nuk merr asnjë rol në negocimin ose dikton kushtet e ndonjë marrëveshjeje. Pyetjet në lidhje me procesin e negociatave dhe rezultatet duhet t’u drejtohen palëve negociuese”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

“Bechtel”-i Amerikan dhe në konsorcium turk “Enka” fillimet e ndërtimeve për Korridorin 8 duhet ti nisin të shtunën, ndërsa fillimi i ndërtimit të Korridorit 10-e duhet të shënohet zyrtarisht në maj. (INA)