Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët – Një opozitë e vërtetë

Valon Elezi

Në historinë politike të pas luftës së vitit 2001 dhe pas dominimit të skenës politike nga BDI që nga viti 2002, thuajse nuk kishim një fuqi reale politike që luante siç duhet rolin e opozitës.

PDSH, me tik-taket e veta alla-Menduhçe, sa e përshkallëzonte retorikën, aq i bënte lojërat duke luftuar subjektet politike që tentonin ta kapnin vendin e opozitës. Kështu, PDSH, luajti rol gjithmonë destruktiv, asnjëherë rol të vërtetë opozitar, dhe rrjedhimisht ishte ndër faktorët kryesorë që i mundësoi vazhdimësi BDI-së me fitore dhe qëndrim në pushtet.

DR ishte një subjekt politik pa ndonjë koncept serioz dhe parti politike në përbërje të së cilës aktorë ishin disa ikanakë interesxhinj e që vet subjektin në fjalë e lanë pa jetëgjatësi. Aty, koka e partisë, Imer Selmani, vendosi i dëshpëruar të tërhiqet dhe partia e tij u shua.

Vjen RDK-ja e Rufi Osmanit, projekt mjaft fisnik politik që në vete posedonte një sërë intelektualësh të mirëfilltë. Nga tradhtia opozitare nga ana e PDSH-së e deri te lufta politike pa kokërr etike, situatat e krijuara nga koniunktura politike e asaj kohe, RDK-në e asgjësuan si projekt politik.

Vlerësoj se nuk duhet përmendur disa “parti” të vogla si Uniteti e disa të tjera që i krijonte o BDI o PDSH për të bërë manevra politike dhe për të aktruar dështime të lindjeve politike.

Në kohën kur kishte plasur balona në PDSH dhe politika alla-Menduhçe ishte bërë e padurueshme, nga aty doli një fraksion i quajtur LR-PDSH, ose Lëvizja për Reforma në PDSH, pas së cilës u etablua një subjekt i ri politik i quajtur Aleanca për Shqiptarët.

Viti 2015 njihte edhe nismën mjaft fisnike dhe idealiste të një subjekti politik të quajtur Lëvizja Besa, subjekt ky i cili, pas vitit 2002, e bëri shtrëngimin e parë dhe serioz ndaj BDI-së në zgjedhjet e vitit 2016. Pas futjes së fuqishme të këtij subjekti politik në skenë, vjen një ndarje sa e papritur aq edhe dëshpëruese, sa e paqartë aq edhe e mbushur me konspiracione nga më të ndryshmet, përfshirë edhe shkatërrimin e këtij subjekti për shkak të etablimit të fuqishëm të saj në skenën politike.

Pas këtyre episodeve të politikës shqiptare të pas luftës, në skenë vjen partia politike Alternativa, që është vazhdimësia e idesë dhe frymës politike të ish-Lëvizjes Besa, me shumicën e strukturës të ish-Lëvizjes Besa, e gjithë kjo, në mënyrë që projekti politik i filluar në vitin 2015,assesi të mos ndalet.

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve e peripecive politike, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Alternativa e Afrim Gashit, gjetën vullnetin politik që të bashkëpunojnë në një koalicion të përbashkët, koalicion i pastër shqiptaro-shqiptar dhe për interesa shqiptare, nga i cili koalicion, në zgjedhjet e fundit numri i deputetëve arriti në dymbëdhjetë, e që është numri më i lartë i ndonjë opozite shqiptare ndonjëherë.

Sot, sidomos me këmbënguljen politike dhe me përkushtimin e vazhdueshëm të bërjes politikë në dobi të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët realizojnë një politikë opozitare të fuqishme, reale, të bindshme dhe pa rezerva.

Sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një zë opozitar të fuqishëm, të guximshëm dhe plot vetëdije politike.

Sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një zë opozitar që i përfaqëson, që i mbron dhe që nuk u bindet variablave jo etike të politikës për interesa të ngushta grupore.

Sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë Alternativën dhe Aleancën për Shqiptarët që bllokon Kuvendin dhe me ngulm e pa hezitim kërkon shtetësinë për qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu dhe poashtu don të ruajë dhe ta vazhdojë regjistrimin e popullsisë i cili regjistrim po shkonte në favor numerik të shqiptarëve.

Sot, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët janë zëri i vërtetë i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.