Zvicër: Pas përleshjes në një pompë të benzinës vdes një 20 vjeçar nga Kosova

Një 20 vjeçar nga Kosova ka mbetur i vdekur pas një përleshje mes disa personave që ndodhi të shtunën mbrëna rreth orës 19:15 në një pompë të benzinës në Luzern të Zvicrës.

Sipas gazetës zvicerane “Blick”, bëhet fjalë për Ardit N, i cili punon si shofer i kamionit.

Policia e kantonit të Luzernit e ka konfirmuar incidentin.

Sipas tyre të dy grupet sulmuan njëri-tjetrin në parkun industrial Scharacher në Geuensee.

Policia bën të ditur se në konflikt janë përdorur edhe gjësende të ndryshme, ku 20-vjeçari kosovar mbeti i vdekur në këtë përleshje ndërsa disa persona të tjerë u dërguan në spitale, disa me lëndime të rënda.

Tutje organet e rendit theksojnë se në këtë përleshje ka pasur të përfshirë disa nacionalitete si: Siria, Iraku, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra.

Rasti është ende nën hetime.

Xhaxhai i të ndjerit Ali N, 49 vjeçar tha për gazetën Blick.ch se nuk mund të besojë atë se çka i ka ndodhur nipit të tij, përcjell Klankosova.tv.

Siç shpjegon ai, Arditi ka dashur që të dalë me shokët e tij dhe këtë ia kishte lejuar babai.

“Arditi nuk ishte dashur që të vonohej më shumë se në orën 23:00. Ashtu siç e kishte lejuar babai i tij”-shpjegon xhaxhai.

Akoma janë të paqarta rrethanat se si ka ardhur deri tek ngjarja tragjike.

Siç shkruan gazeta zvicerane, policia ende po i siguron provat e nevojshme lidhur me rastin.

Në vendngjarje është konfiskuar një makinë e tipit “Mercedes” ngjyrë e bardhë.