Aleanca për Shqiptarët, sot në ora 17:00 vendos për koalicionin opozitar

Aleanca për Shqiptarët, sot në ora 17:00 në Tetovë mbledh kryesinë qendrore ku pritet të vendoset me cilën parti do të formojë koalicionin parazgjedhor për votimet e 12 prillit, shkruan gazeta LAJM. Sipas të gjitha gjasave partia e drejtuar nga Ziadin Sela, do të vendos që në zgjedhjet e parakohshme të garojë bashkë me “Alternativën” e Afrim Gashit. Siç bëhet e ditur, krerët e dy partive, Sela dhe Gashi me bashkëpunëtorët e tyre kanë finalizuar të gjitha detajet e bashkëpunimit, ndërsa vendimi pritet të merr dritën jeshile edhe nga organet e dy partive. Vendimin që do ta merr sonte kryesia e ASH-së pritet të zyrtarizohet në një konferencë për media ditën e mërkurë, mëson gazeta LAJM nga burime brenda ASH-së. Kjo parti kishte inicuar formimin e një koalicioni trepalësh me Lëvizjen BESA dhe Alternativën, por për shkak të refuzimit të partisë së Afrim Gashit, duket se subjekti i Bilall Kasamit do të mbetet jashtë këtij koalicioni./Gazeta LAJM