Aleanca për Shqiptarët në negociata me Besën dhe Alternativën për koalicion parazgjedhor

Koalicione dhe negociata të mundshme zhvillohen midis Aleancës për Shqiptarët me Lëvizjen Besa dhe Alternativën, theksoi zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti pas konferencës së sotme partiake për shtyp. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve thotë se edhe vetë janë të bindur në fitore, por, duan rezultat më bindës në zgjedhje.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët jemi të interesuar për koalicion parazgjedhor me Besën dhe Alternativën. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona si Aleancë për Shqiptarët megjithatë duam fitorja të jetë edhe më e fuqishme, ashtu që jemi të hapur dhe të gatshëm të kemi bashkëpunim me Alternativën dhe me Besën. Bisedojmë me të dyja partitë ka dëshirë dhe shpresojmë se bashkërisht do të arrijmë për një koalicion parazgjedhor që definitivisht do ta fitojë BDI-në dhe do ta ketë legjitimitetin e votuesve shqiptarë”, tha Bexheti.

Para zgjedhjeve me bllokun politik maqedonas, tha ai, nuk ka bisedime.

“Tani për tani nuk ka negociata të tilla, Kjo do të varet pas zgjedhjeve, për këtë do të vendosin qytetarët kush me kë do të koalicionojë. Harmonizimi i programeve politike do të shihet pas 12 prillit dhe do të shihet me kë do koalicionohet”, theksoi zëdhënësi i partisë.