Aleanca për Shqiptarët me kritika për propozim-ligjin rreth lojërave të fatit

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ka kritikuar propozim-ligjin rreth lojërave të fatit, duke kërkuar që të hiqet edhe nga rendi i ditës. Ai këtë ligj e vlerësoi si “Ligji i Artan Grubit”, transmeton Portalb.mk.

“Propozimi i deputetit të Aleancës për shqiptarët Halil Snopçe për heqjen nga rendi i ditës të Propozimit për lojërat e fatit nuk gjeti mbështetje nga shumica parlamentare, duke nxitur një debat të fortë mbi konsistencën politike dhe parimet legjislative”, raportoi Aleanca.

Snopçe vlerësoi se ky është një ligj I keq që nuk do të bëhet I mirë vetëm pse i ndryshojnë aktorët politik.

“Deputeti arsyetoi kërkesën e tij duke kujtuar se bëhet fjalë për të njëjtin ligj që në legjislaturën e kaluar ishte cilësuar publikisht si “Ligji i Artan Grubit” një ligj i kundërshtuar, i refuzuar dhe i bllokuar me argumente të qarta politike dhe substanciale”, raportoi Aleanca.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 12 maj e miratoi propozim Ligjin për dislokimin e kazinove nga institucionet arsimore në 500 metra largësi. Sipas procedurës, ligji duhet të votohet në Kuvend në periudhën që vjen. Megjithatë, ajo që bie në sy është se koalicioni VLEN i cili është në pushtet, ndryshe premtoi dhe ndryshe veproi. Ky koalicion para se të bashkohet në një parti, e ndërtoi identitetin e tij elektoral rreth premtimit radikal, mbylljen e të gjitha kazinove dhe largimin e bixhozit nga jeta e përditshme e qytetarëve. Ky premtim nuk ishte vetëm një pikë programore, por një betim moral që synonte të rezononte me familjet shqiptare të cilat e shihnin bixhozin si shkaktarin kryesor të rrënimit ekonomik dhe social. Me ligjin e ri, ekziston një hendek midis pritshmërisë të votuesve për mbyllje totale të menjëhershme dhe planit qeveritar për reduktim gradual dhe rregullim.