Albright nderohet me “Çelësin e Qytetit” në Viti

Komuna e Vitisë e ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” vajzën e ish-sekretares Madeleine Albright, Alice Albright, e cila është edhe shefe ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, që përmes programit të pragut kanë rinovuar në këtë komunë disa ndërtesa shumëkatëshe me qëllim të rritjes së efiçiencës së energjisë.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, përfaqësues të MCC-së, Fondacioni i Mileniumit të Kosovës dhe shumë qytetarë të tjerë vitias, derisa e gjithë qendra e qytetit ishte mbushur me flamuj të ShBA-së.

Kryetari i komunës se Vitisë, Sokol Haliti, tha se sot u përurua një projekt prej të cilit më së shumti përfituan qytetarët.

Haliti tha se Albrightin e nderon me “Çelësin e Qytetit” në emër të miqësisë së përjetshme në mes të Kosovës dhe ShBA-së.

I pari i komunës së Vitisë po ashtu foli edhe rreth projektit me MCC-në për të cilin tha se ka fuqizuar institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësinë në projektet e efiçiencë energjetike.

Kurse, shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh shumë e emocionuar që ndodhet në Kosovë dhe që shënojnë përfundimin e projektit të pragut.

Derisa falënderoi komunën e Vitisë për nderin që ia bëri dhe vlerësimet për nënën e saj tashmë të ndjerë, Madeleine Albright, ajo tha se nga viti 2004, MCC ka krijuar partneritet me 49 vende të botës, duke investuar rreth 15 miliardë dollarë për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të luftuar varfërinë.

Ndërsa, theksoi se bashkëpunimi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit me Kosovën ka krijuar një bazë të mirë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për efiçiencën e energjisë elektrike.

Ajo tha se komuna e Vitisë ka qenë një nga gjashtë komunat në të cilat u implementua projekti për energji prej të cilit përfituan rreth 43 familje.