Alarm për bombë në Aeroportin “Adem Jashari”

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është raportuar se ka dyshime për mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 21:00 ka pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroport.

Zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, ka thënë se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

Po ashtu, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ka pasur kërcënime për bombë në këtë aeroport.

Një alarm për bombë, pati ndodhur edhe në qershor të vitit 2022, por që ndërkohë që kishte rezultuar alarm i rremë.

Alarme për bombë kishte pasur edhe gjatë vitit 2021

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.