Aktualizimi i problemeve dhe rikthimi i krizave nga shekulli i kaluar në Ballkanin Perëndimor

Shkruan: Abdulla Mehmeti

(Popujt  ballkanikë kanë të kaluar dhe histori të përbashkët në gjithë rajonin, nga e kaluar e tyre nën sundime të huaja, jo vetëm mes bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm.)

Diplomacia evropiane nuk pretendon integrimin politik dh ekonomik të shteteve ballkanike, por synon pushtimin e tyre, ndryshimin e historisë, të demografisë dhe identitetit të popujve të këtij rajoni.

Kërkesat e palës bullgare, të mbështetura edhe nga diplomacia evropiane, për histori të përbashkët dhe gjuhë me prejardhje të njëjtë mes popullit bullgar dhe popullit maqedonas të sotëm, hapur nënkupton krijimin e një identiteti të ri etnik, me shkrirjen mes tyre, sipas strategjisë së vjetër ruse-bullgare: “Një popull, dy shtete”.

Diplomacia evropiane dhe politika vasale vendëse në shtetet e rajonit ballkanik tallen me liritë dhe të drejtat e popujve, si dhe me sovranitetin e shteteve të këtij rajoni.

Si ka mundësi të mos kuptohet se, kontestet e trashëguara nga e kaluara mes bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm janë çështje që mund dhe duhet të zgjidhen mes këtyre dy popujve, nuk janë çështje mes dy shteteve, përderisa në Maqedoninë Veriore nuk jeton vetëm populli maqedonas dhe nuk është përbërës i vetëm i sovranitetit të këtij shteti, prandaj, problemet për historinë, gjuhën dhe identitetin e kontestuar të popullit maqedonas nga Sofja zyrtare nuk është dashur të vendoset në agjendën e marrëveshjeve mes dy shteteve, sidomos në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, me anëtarësimin e shteteve ballkanike në BE.

Kjo ka krijuar dhe do të krijojë në të ardhmen edhe implikime të tjera, siç është rasti me tendencat aktuale të palës bullgare për shtrirjen e ndikimit të saj, jo vetëm në Maqedoninë Veriore, por edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, me kërkesat për njohjen e pakicave bullgare në këto shtete, ngatërresat për çështje të historisë, si rasti i deklarimit para pak ditëve i eurodeputetit bullgar kinse Skënderbeu ka prejardhje bullgare nga nëna e tij, etj.

Kjo nuk është çështje e interesave të popullit dhe shtetit të Bullgarisë, që politika dhe diplomacia aktuale e Sofjes i ngreh brirët ndaj shteteve të saj fqinje, por është çështje e interesave strategjike për forcimin e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit (Gadishullin Ilirik).

Faktori politik dhe diplomacia shqiptare duhet të bëjnë hapa të vëmendshëm në këtë drejtim.

(5 shtator 2022)