Grenelli s’është Amerika, opozita nuk është UÇK-ja, e Kurti s’është Serbia!

Fejzi HAJDARI

Në Kosovë, me sa duket, është shumë më lehtë ta shpallësh dikë antiamerikan, tradhtar apo njeri të Serbisë, sesa të argumentosh pse qeveria ka dështuar në fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë…
Për të parën mjafton një mikrofon, pak patetikë patriotike dhe një konferencë shtypi. Për të dytën duhen fakte, dije, program dhe alternativa. E këtu, siç duket, fillon problemi!
Për vite me radhë, disa politikanë e trajtuan Richard Grenellin sikur ta kishte në xhep vulën e Amerikës. Kush nuk pajtohej me të, shpallej kundër SHBA-së gjegjesisht antiamerikan. Kush kritikonte opozitën, rrezikonte të shpallej kundër UÇK-së. Ndërsa kush mbështeste Kurtin, sipas kësaj logjike, duhej patjetër të ishte në shërbim të Serbisë!
Çfarë logjike madhështore, kur mungojnë argumentet, shpërndahen certifikata patriotizmi!
Tani, pas raportimeve për një hetim të mundshëm lidhur me akuzat ndaj Grenellit, ndoshta është koha të kuptohet një e vërtetë elementare – Amerika është shtet dhe aleat strategjik, jo pronë politike e një diplomati. UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës, jo pronë ekskluzive e një partie.
Edhe Albin Kurti duhet kritikuar. Madje fort, aty ku ka përgjegjësi dhe ku qeverisja e tij ka mangësi. Por me argumente, jo me etiketa të prodhuara në laboratorët e propagandës.
Për shkak se opozita që çdo kundërshtar e shpall tradhtar, në fakt po dëshmon se ka më shumë etiketa sesa alternativa.
Kosovës nuk i duhet garë se kush e do më shumë Amerikën para kamerave. I duhet garë se kush di ta qeverisë më mirë vendin.
Patriotizmi me mikrofon është i lirë. Qeverisja me rezultate kërkon punë!

Iseni: Në vitet ’90, në zyrat në Shkup qëndronte fotografia e Millosheviqit

Fati Iseni, historian në emisionin “Dialog te Lajmi”, të cilin e udhëheq gazetari Sefer Tahiri, ka rikujtuar se në shumë zyra të funksionarëve edhe në Shkup edhe në Maqedoninë e Veriut, në atë kohë Republika Socialiste e Maqedonisë, ishte vendosur fotografia e Millosheviqit, që, sipas tij, “ishte pak, e, nonsens, joakceptueshme”.
Iseni: Pse ndodhi kjo? Po, pikërisht kjo merrej në atë kohë si një lloj mesazhi politik apo për shqiptarët ose faktikisht si një lloj…

Tahiri: …i bie që ‘Bota serbe’ këtu në Maqedoninë e Veriut, paska filluar shumë herët, para viteve ’90-ta dhe shumë mirë e shpjeguat, sepse unë pak më herët thashë që rezistenca apo një lloj refuzimi ndaj sistemit të nuk kishte vetëm tek shqiptarët, por kishte edhe në hapësira të tjera të ish-Jugosllavisë. Përmendet kroatët, sllovenët, ndoshta në forma më të buta tek boshnjakët e kështu me radhë.

Fati Iseni, historian: Mirë, tani, lidhshmëria ishte pak më komplekse e boshnjakëve me, me serbët dhe kroatët në republikën përkatëse të Bosnjës dhe Hercegovinës. Por megjithatë, domethënë, ’81-shi i dha një kahje tjetër, për shkak se nëse ne sot e shohim botën shqiptare të viteve ’70-ta, këtu kemi një lloj, si të them, hekurosje mes atij hendeku që dikur ishte i madh ndërmes serbëve dhe shqiptarëve. Për shembull, kurrë më shumë nuk ke pasur martesa të përziera shqiptaro-serbe sesa viteve ’60 dhe ’70. Dhe ’81-shi, domethënë, ishte tamam një lloj rikthimi para, domethënë, ’68-ës. Ose në Bosnje. Në Bosnje, për shembull, me mijëra martesat të përziera çuan, çuan në probleme serioze, domethënë, gjatë shpërthimit të luftës.