Aksioni për arrestimin e policëve, vjen reagimi i Xhelal Sveçlës

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, AKI-në, Doganat dhe policinë e Kosovës po kryen një aksion në Gjakovë e Prizren.

Lidhur me këtë, Sveçla ka thënë se policia radhitet si institucioni i dytë më i besueshëm në Kosovë dhe kjo është falë punës së zyrtarëve policorë, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, ata që njollosin punën e ndershme të policisë nuk kanë vend në Policinë e Kosovës dhe ky institucion nuk do të jetë vendi ku thyhet ligji.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen time maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Sveçla.

“Policia e Kosovës renditet si institucioni i dytë më i besueshëm për qytetarët dhe kjo natyrisht është falë punës së zyrtarëve policor dhe jo vetëm. Ne jemi zotuar që këtë vlerësim do ta ruajmë dhe do të punojmë maksimalisht që ta ngrisim më lartë. Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni. Si Ministër i Punëve të Brendshme, do të vazhdoj të jap mbështetjen time maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës dhe institucionet vartëse të MPB-së të cilët me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre. Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cënon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi.”, thuhet në postimin e tij.