Aksidentohen katër automjete, njëri transportonte emigrantë

Mbrëmë në ora 19.30 në rrugën Gjevgjeli – Bogdanci, në urën e lumit Vardar ka ndodhur një aksident trafiku mes dy veturave të markës “Mercedes”, njëra nga të cilat ka transportuar emigrantë nga Siria, një veture të markës “Opel Corsa” dhe një “Hyundai”, shkruan Portalb.mk.

Mbrëmjen e të premtes në ora 19.30 në Stacionin Policor Gjevgjeli është raportuar se në rrugën Gjevgjeli – Bogdanci në urën e lumit Vardar ka pasur një aksident të rëndë.

Mercedesi, i cili ka qenë me targa të regjistrimit të një veture tjetër, ka qenë duke transportuar shtatë emigrantë nga Siria. Shoferi është një 48 vjeçar me iniciale B.M. nga Makedonska Kamenica.

Mercedesi tjetër është me targa të Gjevgjelisë, shoferi i të cilës është 37 vjeçari G.K. nga fshati Stojakovë.

Opel Corsa, me targa të Gjevgjelisë, është drejtuar nga një 63 vjeçar me iniciale B.J. nga fshati Bogorodicë.

Hyundai, gjithashtu me targa të gjevgjelisë, është drejtuar nga 42 vjeçari me iniciale D.T. nga Gjevgjelia.

Në aksident ka ndërruar jetë personi B.J., që e ka drejtuar veturën Opel Corsa, kurse pasagjeri i kësaj veture, E.J., 63 vjeçar, është i plagosur rëndë. Gjithashtu është plagosur rëndë transportuesi i emigrantëve B.M., ndërsa emigrantët kanë pësuar lëndime trupore, të diagnostikuar në spitalin e Gjevgjelisë.

Në vendin e ngjarjes ka bërë kontroll ekipi i Stacionit Policor Gjevgjeli dhe prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion.