Afganistan, Presidenti Ghani drejt një mandati të dytë pesëvjeçar

Presidenti afgan, Ashraf Ghani duket se ka fituar një mandat të dytë pesëvjeçar, nisur nga rezultatet paraprake për zgjedhjet presidenciale të diskutuara të 28 shtatorit, që u bënë publike të dielën.

Kryetarja e Komisionit të Pavarur Zgjedhor publikoi rezultatet e vonuara në një konferencë për shyp në Kabul, duke vënë në dukje se Ghani kishte siguruar rreth 51 për qind prej mbi 1.8 milionë votash.

Hawa Alam Nuristani tha se rivali kryesor i zotit Ghani dhe partneri i tij i koalicionit në qeverinë e bashkimit, Shefi Ekzekutiv, Abdullah Abdullah mori 39.52% të votave. Kandidatët e tjerë kishin marrë pjesën e mbetur të votave, tha ajo.

Autoritetet e zgjedhjeve priteshin fillimisht t’i nxirrnin rezultatet paraprake më 19 tetor por akuzat për mashtrim nga kandidatët, veçanërisht zoti Abdullah, si edhe problemet teknike, e detyruan komisionin që ta shtynte diisa herë shpalljen e tyre.

Presidenti Ghani falenderoi në një fjalim në televizion komisionin e zgjedhjeve, qytetarët afganë dhe veçanërisht forcat e sigurisë, që ndihmuan për organizimin e zgjedhjeve në rrethana të vështira.