Ademi: Orët e humbura mund të zëvendësohen pas 10 qershorit

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi thotë se orët e humbura për shkak të koronavirusit do të zëvendësohen në fund të vitit shkollor ose pas 10 qershorit. “Dy alternativa i kemi. Mundemi që pas 10 qershorit ditët e humbura të zëvendësohen duke pasur parasysh se në mënyrë decide është paraparë se sa zgjat, sa ditë mësimi zgjat viti shkollor. Opcioni I dytë është hartimi I programave të shkurtuara mësimore nëqoftëse kemi më pak se 100 ditë ndërprerje të procesit mësimor. Ndërsa në arsimin e mesëm mund të organizohet vikendeve ose mund të shkojmë me programe të shkurtuara të cilat do ti përgatisin institucionet përkatëse”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës. Sipas tij, në institucionet e arsimit të lartë do të punojnë administra për të siguruar shërbimet e nevojshme për studentët. Ademi shtoi se stafi akademik është I liruar nga puna por duhet të jetë në dispozicion për nevojat e studentëve. Ndërkohë, të mërkurën në asnjë shkollë nuk u dëgjua zilja. Zhurma e fëmijëve u zhvendos në parqet e qytetit ku fëmijët po kalonin ditën e parë të pushimit të detyrueshëm nga shkolla për shkak të korona virusit. Prindërit dhe gjyshërit që shoqëronin fëmijët thanë se parqet janë mundësia e vetme ku fëmijët mund të lozin por në rast se të njëjtat nuk janë të stërmbushur me njerëz. “Mirëpo të mos përzihen me shumë njerëz dhe të jenë në distancë më të madhe. Sado që ajri të jetë I ndotur, organizmit i duhet ajrosje për shëndet të mirë. Assesi në kënde lojrash për fëmijë në ambiente të mbyllura”, tha një qytetar.  “Në kënde lojrash të mbyllura jo, mirëpo në park mundet, pse jo, nëse ka frekuentim të ulët. Nuk duhet frekuentuar disko klubet dhe kafenetë, si dhe ditëlindjet e organizuara”, u shpreh një tjetër. Një ditë pas vendimit të qeverisë, nëpër shkollat e mbyllura, përveç personave të sigurimit nuk kishte njeri tjetër. Në disa prej tyre tashmë kishte filluar edhe dezinfektimi i hapësirave.