Ademi: Ndoshta do të përballemi me masa të njëjta nëse kemi situatë të këtillë edhe në shtator

Viti shkollor 2019/2020 do të përfundojë me vendimin e Qeverisë që nxënësit të mos kthehen në bankat deri më 10 qershor. Nga mbyllja e shkollave dhe fakulteteve më 11 mars, sfida ishte se si të vazhdohet mësimi në distancë dhe të zëvendësojë atë formal dhe në këtë thuajse tre muaj nxënësit dhe mësimdhënësit aftësoheshin për e-mësim. Për arsimin qershori është muaj i provimeve dhe regjistrimeve. Maturë shtetërore për këtë gjeneratë nuk do të ketë, por pritet sesioni i provimeve të qershorit për studentët dhe regjistrime për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme për të cilët afatet nuk do të ndryshohen.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi është i kënaqur nga masat e ndërmarra me të cilat u mundësua mësim i pandërprerë në kushte të pandemisë, që ishin rregulluar edhe në aspektin juridik me dispozitat e miratuara me fuqi të ligjit. Në intervistën për MEDIAL-n Ademi shprehet se janë të përkushtuar maksimalisht dhe bisedohet për çështje se si do të kishit vepruar nëse përballemi me rrethana të njëjta ose më të këqija prej shtatorit, në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.

– Në përgjithësi, nëse kemi situatë të njëjtë, rrethana të njëjta, ndoshta do të përballemi me masa të njëjta ose do të mendojmë në drejtim të riorganizimit ose organizimit dhe realizimit më ndryshe të mësimit në bankat shkollore, tha Ademi.

Për provimet e radhës në sesionin e qershorit shprehet se ua lënë universiteteve që të vlerësojnë dhe zgjedhin vetë nëse në fakultetet e tyre ka kushte për organizimin e provimeve me prani fizike të studentëve, me këtë rast t’i respektojnë në mënyrë të përpiktë rekomandimet për mbrojtje të shëndetit publik.

– Qëllimisht u lëmë fleksibilitet universiteteve, duke u bazuar në autonominë e tyre. Besojmë fuqishëm se çdo universitet, çdo njësi, bashkësi akademike, do t’i qaset me përgjegjësi kësaj çështjeje, shton Ademi.

Në intervistën për MEDIAL-n ministri lajmëroi se këtyre ditëve në seancat qeveritare do të shqyrtohen Propozim-vendimi për regjistrimet për arsim të lartë, duhet të saktësohet dekreti për ndarjen e vauçerëve për nxënës dhe studentë nga pakoja e tretë e masave nga KOVID-programi i Qeverisë (Dekreti për kartelë pagesore është miratuar pardje), ndërsa për regjistrimet e radhës në shkollat e mesme tha se nuk do të ketë prolongim të afateve të përcaktuara në Konkursin, por se për zbatimin e regjistrimeve janë përgatitur protokolle me masa për mbrojtje, njëjtë si edhe protokolle për provimet që do të organizohen në institucionet e larta arsimore.

– Protokollet tashmë janë shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioni i sëmundjeve ngjitëse dhe janë përcjellë deri te Qeveria. Pres që në seancën e parë që do ta kemi, ato të miratohen, shton Ademi.

Disa ditë më parë është miratuar Dekreti me të cilin programet dhe provimet studimore mund të realizohen edhe me prani fizike të studentëve. A do të jetë kjo përzgjedhje e vetë fakulteteve?

Kur morëm vendim për ndërprerjen e procesit arsimor në shkollat fillore dhe të mesme, por edhe në institucionet e larta arsimore, miratuam edhe dekrete me fuqi të ligjit për mësimin onlajn përmes mjeteve për komunikim elektronik. Në dekretin për zbatimin e Ligjit të arsimit të lartë theksuam në mënyrë të qartë dhe të saktë se edhe provimet, edhe kolokviumet, edhe mbrojtja e punimeve deri në diplomim, të magjistraturës dhe doktoraturës të realizohen në mënyrë elektronike. Por, gjithashtu, thamë se provimet dhe kolokviumet do të organizohen përmes mjeteve për komunikim elektronik nëse institucioni i lartë arsimor dhe njësitë në kuadër të tij sigurojnë kushte teknike për sigurimin e besueshmërisë së procesit të notimit të studentëve.

Në adresën time personale ndërkohë kishte kërkesë nga studentët, organizatat e studentëve, të cilët kërkuan që provimet të organizohen edhe me prani fizike. Prandaj, pas konsultimit me krerët e institucioneve të larta arsimore, veçanërisht të universiteteve, vendosëm t’u japim mundësi – opsion që të organizojnë provime edhe me prani fizike.

U japim alternativë. Miratuam ndryshim dhe plotësim të Dekretit për arsim të lartë me fuqi të ligjit, ku themi se edhe gjatë kësaj periudhe derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme dy opsionet janë në dispozicion të universiteteve. Ata do të vlerësojnë nëse në një njësi të caktuar në kuadër të universitetit ka kushte për organizimin e provimeve me prani fizike, e me këtë rast të respektohet në përpikëri të gjitha rekomandimet e Qeverisë për mbrojtjen e shëndetit publik dhe, nëse ka kushte për këtë, mund të organizojnë lirisht provime. Veçanërisht flasim për sesionin e qershorit.

Por, vallë me këtë mundësi fakultetet vetë të zgjedhin mes pranisë onlajn ose fizike trajtohen ndryshëm edhe studentët për kontrollin e diturisë së tyre? A nuk duhet të ekzistojë vendim i vetëm që do të vlejë për të gjithë, me këtë rast përparësi të ketë prania për shkak se kishte reagime, siç thatë edhe Ju nga organizatat studentore, se dhënie e provimeve në mënyrë elektronike mund të rezultojë me manipulime dhe të degradojë cilësinë e arsimit të lartë?

– Qëllimisht u lamë fleksibilitet universiteteve, duke u bazuar edhe në autonominë e tyre. Besojmë fuqishëm se secili universitet, secila njësi, bashkësi akademike, do t’i qaset me përgjegjësi kësaj çështjeje.

Edhe para se ta miratojmë dekretin me të cilin u japim opsion të tillë, disa nga universitetet tashmë e kanë shqyrtuar, ndaj edhe kanë vendosur për këtë çështje, duke i marrë parasysh anketat që i kanë bërë me studentët e tyre për atë se si duan ata të japin provim. Përqindja e studentëve që kanë dashur të japin provim me prani fizike ka qenë i madh, ata kanë treguar interes dhe në bazë të përgjigjes së tyre universitetet dërguan kërkesa deri te ne për të siguruar bazë ligjore për të organizuar provime edhe në rrethana të jashtëzakonshme me prani fizike, por duke respektuar me përpikëri të gjitha rekomandimet e Qeverisë dhe të autoriteteve shëndetësore në raport me mbrojtjen e shëndetit publik.

Kjo do të varet nga universiteti – nëse vendosë se do të organizohet me prani fizike, atëherë provimet në këtë mënyrë do të jepen në të gjitha njësitë nga të gjitha lëndët në kuadër të atij universiteti. Nëse universiteti u lë opsion njësive të tyre që të përzgjedhin vetë, atëherë do të kemi laramani në kuadër të një universiteti.

Vendimi u mbetet universiteteve për shkak se ata vetë e dinë më mirë gjendjen nëse kanë ose nuk kanë kushte që provimet t’i organizojnë në njërën ose mënyrën tjetër. Besoj se nga universitetet do të ketë qasje të përgjegjshme. Me këtë rast duke marrë parasysh edhe qasjen e tyre të deritanishme gjatë gjendjes së jashtëzakonshme – interesi për komunikim dhe ajo që të gjitha kërkesat e tyre janë bazuar në kërkesat e studentëve.

Nxënësit e mbarojnë vitin me nxënie dhe marrje në pyetje në distancë. Për mësimin onlajn e promovuat edhe platformën kombëtare Eduino.gov.mk, të cilën edhe pa gjendje të jashtëzakonshme, MASH-i në partneritet me UNICEF-in e kishte planifikuar për deri në fund të vitit. A mbërrinin deri te Ju reagime në periudhën e fundit prej dy muaj e gjysmë për efikasitetin e tij. Për shembull, për arsimin e mesëm kishte vërejtje se nuk është mbuluar me leksione të regjistruara sa ka për arsimin fillor?

– Me të vërtetë jam krenar që për një periudhë të shkurtër reaguan në mënyrë efikase dhe ekspeditive dhe vendosëm platformën e parë të unifikuar kombëtare arsimore Eduino.gov.mk ku vendosen dhe janë vendosur një numër i madh i leksioneve prej mësimdhënësve aktiv në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa është zgjeruar edhe me video-leksione për fëmijë të moshës parashkollore.

Filluam menjëherë me arsimin fillor duke marrë parasysh se sfidat janë më të mëdha në arsimin fillor, si dhe në moshën e nxënësve të cilët janë më të vegjël. Për arsimin e mesëm udhëzimin e njëjtë ua dorëzuam të gjithë mësimdhënësve dhe shkollave dhe leksionet regjistrohen dhe vendosen. Pres që i gjithë procesi në periudhën e ardhshme të rrumbullakohet.

Kjo platformë do të na shërbejë edhe në rrethana të rregullta. Gjithsesi, për të pasur platformë më cilësore kombëtare tërë kohën duhet të apdejtohet në përputhje me programet mësimore, ndryshimet eventuale të programeve dhe përmbajtjeve mësimore.

A ka MASH-i skenar dhe a është i gatshëm në rast se mësimi në kushte të jashtëzakonshme duhet të vazhdojë edhe nga shtatori, në fillim të vitit të ri shkollor?

– Vendimi për fëmijët që të mos kthehen në shkollë deri në fund të vitit shkollorë e kanë edhe vendet tjera të rajonit. Secili do të ishte i lumtur që rreziku nga KOVID -19 të zhduket dhe të kthehemi në bankat shkollore.

Gjithsesi, ne me Byronë për Zhvillimin e Arsimit kemi përgatitur programe të shkurtuara mësimore në formë të udhëzimit deri te mësimdhënësit. Kjo nuk është diçka e re meqë edhe më parë kur ka pasur ndërprerje të mësimit, për një arsye ose tjetër, kemi pasur udhëzime për mësimdhënësit se cilat tema dhe përmbajtje do të duhej të përpunohen edhe një herë në mënyrë që nxënësit të përvetësojnë dituri për to, pa të cilat nuk mund të ketë kalim në vitin shkollor të radhës, gjegjësisht në arsimin e mëtejshëm.

Jemi të gatshëm për këtë, do të thosha, skenar pozitiv. Nëse do të fillonim me vitin shkollor në bankat shkollore, ky udhëzim për programe të shkurtuara mësimore tashmë është përgatitur. Pra, për tema dhe përmbajtje që janë të domosdoshme për nxënësit, që janë përpunuar në periudhën e pandemisë përmes mjeteve të komunikimit elektronik.

Gjithsesi, ne jemi të përkushtuar maksimalisht dhe bisedojmë edhe për çështje se si do të vepronim nëse përballemi me rrethana të njëjta. Ndoshta edhe më të këqija. Tashmë kemi rekomandime nga UNICEF-i, Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për vendet që duan t’i rihapin shkollat. Me shefen e Zyrës së UNICEF-it në Maqedoni kemi biseduar në këtë temë dhe ata janë të gatshëm të na ndihmojnë se cilat masa dhe aktivitete t’i ndërmarrim.

Në përgjithësi, nëse kemi situatë të njëjtë, rrethana të njëjta, ndoshta do të përballemi me masa të njëjta ose do të mendojmë në drejtim të riorganizimit ose organizimit dhe realizimit më ndryshe të mësimit në bankat shkollore.

Qershori është muaj i regjistrimeve – priten ato për arsimin e mesëm. A mbeten datat që ishin përmendur në Konkursin e publikuar në mars, gjegjësisht a do t’i hapin shkollat dyert e lajmërimit të parë të caktuar për 16 dhe 17 qershor?

– Mbetemi në afatet e njëjta, por në mënyrë plotësuese në këtë drejtim MASH-i ka përgatitur protokolle për regjistrim edhe në arsimin fillore edhe për regjistrim në arsimin e mesëm, si dhe protokolle për provimet që do të organizohen në institucionet e arsimit të lartë, cilat masa duhet të respektohen në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik i nxënësve dhe studentëve tanë.

Protokollet tashmë janë dërguar dhe miratuar nga Komisioni i sëmundjeve ngjitëse dhe janë përcjellë deri te Qeveria dhe pres që në javën e parë që do ta kemi ndoshta sot, të miratohen, e më pas të shpallen në Gazetën zyrtare dhe të informohen institucionet arsimore.

Protokollet do të saktësojnë se cilat aktivitete dhe cilat masa duhet të plotësohen nga të gjitha palët e prekura në procesin e regjistrimeve në arsimin fillor dhe të mesën – nga ana e shkollave, nga mësimdhënësit, nga komisionet e regjistrimit, nga ana e prindërve.

Për në qershor është paralajmëruar edhe provimi pranues për Gjimnazin e ri matematiko-informatik me dy paralele të vitit shkollor 2020/2021. Sipas thirrjes, provimet për dy lëndët (matematikë dhe fizikë) janë caktuar për javën e ardhshme, më 2 dhe 4 qershor. Do të mbahen ose do të ketë prolongim?

Nuk do të prolongohen, do të organizohen provimet meqë nuk është i madh edhe numri i atyre që kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtij gjimnazi të ri – matematikë-informatikë, që mendoj se do t jetë vlerë e shtuar në sistemin kombëtar arsimor. Në thirrjen kishte interes – më i madh është për paralelen në gjuhën maqedonase sesa për paralelen në gjuhën shqipe.

Regjistrimi i nxënësve të klasës së parë që ishte prolonguar për një muaj do të fillojë të hënën dhe do të zgjasë deri në fund të qershorit. A ka disa obligime të reja sivjet për prindërit?

– Jo, e gjithë procedura vetëm prolongohet për një muaj. Sipas Ligjit të arsimit fillor, i tërë maji është për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë. Por, për shkak të rrethanave ne e prolonguam nga maji në qershor dhe i tërë qershori do t’u jetë në dispozicion prindërve që duhet t’i regjistrojnë fëmijët.

Kështu që, procedura është e njëjtë sikurse deri tani dhe pres që edhe këtu të respektohen masat nga Qeveria dhe protokolli për regjistrim në klasën e parë. Deri më 15 korrik duhet të shpallen rezultatet në shkolla, ndërsa gjithashtu di të informohet Inspektorati Shtetëror i Arsimit për fëmijët që është dashur të regjistrohen, e nuk janë regjistruar.

Duke marrë parasysh se ky vit shkollor përfundon pa maturë shtetërore, ndërsa filtri për regjistrimin e studentëve do të jenë provimet pranuese në fakultetet në regjistrimet në gusht-shtator, a dakordoni me universitetet politika të regjistrimit sipas rrethanave të reja – ndryshim të kuotave, risi në participimin, etj?

– Për regjistrimet e universiteteve publike kemi përgatitur informacion dhe propozim-vendimi do të shqyrtohet në seancën e parë dhe do të miratohet. Si gjithmonë, kemi mbajtur llogari për kërkesat e universiteteve për numrin e studentëve të regjistruar në vitin e parë të vitit akademik të radhës.

Jo në të gjitha fakultetet, gjegjësisht njësitë në kuadër të një universiteti duhet të organizohet provim pranues, por do të duhej të organizohet provim kualifikues në raste kur shumica e aplikuesve kanë numër të njëjtë të pikëve nga suksesi në arsimin e mesëm. Kjo do të jetë sipas shembullit të organizimit të provimit kualifikues gjatë regjistrimit të shkollave të mesme.

Duhet të marrim vendim ku përcaktohen kuotat dhe shuma maksimale e participimit dhe në përputhje me këtë propozim-vendim do të shpallen konkurset nga universitetet publike.

Të gjithë maturantët do të jenë diplomë për arsim të përfunduar të mesëm që do të ketë vlefshmërinë e diplomës për maturë shtetërore, maturë shkollore ose provim përfundimtar. Kështu që, nxënësit të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm në këtë vit shkollor 2019/2020 nuk do të jenë fare të diskriminuar dhe do t’i kenë të gjitha të drejtat.

Në pakon më të re të masave nga KOVID-programi i Qeverisë, 405 milionë denarë janë dedikuar për arsimin dhe janë parashikuar tre lloje të vauçerëve për mbështetjen e nxënësve dhe studentëve. Cilat janë kriteret për ta dhe ku dhe kur do të mund t’i marrin të rinjtë?

– Kemi edhe vauçerë, edhe kartelë pagesore. Në seancë të Qeverisë pardje miratuam Dekret për njërën prej masave që janë parashikuar – për kartelën pagesore, e cila është parashikuar për nxënës të arsimit të mesëm të moshës 16-vjeçe, për studentë dhe për të rinj deri në moshën 29 vjeçe të cilët kanë statusin e studentit. Kjo do të jetë sipas listave me të dhëna të tyre personale që për studentët do t’i përgatisin universitetet, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme listat janë përgatitur nga baza ESARU (listë dhe ditar elektronik në shkollat e mesme). Listat ne do t’ia dërgojmë Sekretariatit të përgjithshëm, i cili do të publikojë në platformën, duke respektuar me këtë rast të dhënat personale që nuk do të publikohen. Çdo i interesuar mund të kontrollojë nëse gjendet në listën dhe do të informohet në cilën bankë është kartela e tij pagesore. Atë do të mund ta shfrytëzojë për produkte dhe shërbime vendore.

Për vauçerët për pagesën e participimit, për akomodimin e konvikteve studentore dhe të nxënësve ose në kapacitete private të akomodimit dhe për vauçerët për bashkëfinancim për ndjekjen e kurseve dhe trajnimeve për IT-shkathtësi në periudhën e ardhshme do të saktësohet dhe rregullohet me dekret të qartë dhe opinioni do të jetë i informuar me kohë për procedurën. Të gjitha kritere do të përfshihen në dekretin me fuqi të ligjit.

Këtyre ditëve janë aktuale reagimet e prorektorëve të Universitetit të Shkupit dhe të Sindikatës së pavarur akademike të cilët kontestojnë mënyrën në të cilën rektori aktual i UQEM-it ka nisur procedurë për përzgjedhjen e rektorit të ri. Universiteti është autonom, por si e komentoni Ju atë meqë ka akuza se shkelet Ligji i arsimit të lartë, ndërsa edhe Komisioni antikorrupsion kërkoi nga Inspektorati mbikëqyrje të jashtëzakonshme?

– Po, mora letër nga prorektorët, por për shkak të obligimeve nuk e kam shqyrtuar këtë lëndë dhe çështjet që i iniciojnë prorektorët dhe sindikata. E di se ka pasur reagime, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është organ operativ për të vepruar.

Megjithatë, jemi duke i ndjekur zhvillimet në institucionet e arsimit të lartë dhe me të gjithë ata dhe me bashkësinë akademike kemi komunikim të mirë – edhe gjatë procesit të krijimit të politikave, edhe gjatë zbatimit të tyre. Për hir të së vërtetës, të gjithë janë partnerë tanë, kështu që në kuadër të këtij komunikimi të mirë, po edhe të shkëlqyeshëm, të gjitha çështjet i shqyrtojmë dhe gjithmonë gjejmë zgjidhje.