Nora Gjakova, një fitore larg medaljes së bronztë në Paris

Xhudistja kosovare Nora Gjakova është një ndeshje larg medaljes së bronztë në kategorinë deri në 57 kilogramë në Grand Slamin e Parisit, pasi që siguroi fitore në ndeshjen e parë në repesazh.

Nora Gjakova e mposhti kanadezen Jessica Klimkait në ndeshjen e parë të repesazhit dhe tani i duhet vetëm edhe një fitore për t’ia siguruar Kosovës medaljen e bronztë në Paris, raporton Gazeta Express.

Gjakova i humbi shpresat për ta fituar medaljen e artë pasi u mposht në çerekfinale nga portugezja Telma Monteiro dhe iu fut kështu garës për medalje të bronztë.

Kosovarja ishte treguar shumë e fortë për xhudistin franceze Priscilla Gneto, e cila kishte probleme me gisht të këmbës gjatë përballjes së rundit të tretë, dhe e mposhti atë me ippon në Paris.

Në rundin e dytë, Gjakova e mposhti xhudistin nga Azerbajxhani, Alexandra-Larisa Florian, ndërsa rundin e parë e kaloi pa luftë.

Kosova po përfaqësohet me tri garuese në turneun e xhudos, “Paris Grand Slam 2020”, njëra prej të cilave është edhe Nora Gjakova. Edhe pse pritej që pjesë e këtij turneu të ishte edhe Majlinda Kelmendi, trajneri Driton Kuka e tërhoqi atë në momentet e fundit.

Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale dhe tani e pret përballjen me brazilianen Sarah Menezes me synimin për të kaluar në finale.

Ndërsa Laura Fazliu e ka mbyllur në rundin e dytë rrugëtimin e saj në kategorinë deri në 63 kilogramë në Grand Slamit e Parisit, pasi që u mposht me ippon në rundin e dytë nga koreania Hee Ju Han.