Abdixhiku: Keqardhje, por 6 deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar për media, pas takimit që ka pasur me Grupin Parlamentar të kësaj partie, lidhur me emrin e Bekim Sejdiut për president të vendit.

Pas kësaj mbledhjeje, Abdixhiku ka thënë se gjashtë deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar për president në marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me keqardhje të madhe për popullin, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë propozimin e Bekim Sejdiut për president. Ata janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri”, ka thënë Abdixhiku.

Këtë qëndrim të tyre, Abdixhiku e ka cilësuar si lajm të keq për Kosovën.

“Në këtë fazë e konsideroj se i bëjnë dëm të pariparueshëm procesit dhe pa nevojë e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.