Abbott: Ndaj shqetësimet për kërcënimet ndaj policëve serbë të Kosovës

74 policët e rinj, prej tyre 45 serbë që diplomuan ditë më parë, e kanë nisur punën të hënën.

Ata do të shërbejnë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Por, gjatë ditës së djeshme pati raportime se pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, kanë marrë kërcënime nëpër grupe të rrjetit social rus, “Telegram”.

Një pjese të tyre u janë publikuar emrat, ndërsa është paralajmëruar se do t’u publikohen të dhënat personale të gjithëve.

Për këto kërcënime ka pasur reagime të shumta, nga ambasadori i ShBA-së në Prishtinë e ambasadorë tjerë të akredituar në vendin tonë.

Veç tyre, reaguan edhe institucionet e vendit, nga presidentja Osmani e tutje.

Ndërkaq, edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka ndarë shqetësimin për këto zhvillime, duke thënë se “frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit të tyre janë të papranueshme”.

Ai ka shpërndarë reagimin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), duke thënë se i ndan “plotësisht këto shqetësime”.

“Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të pasqyrojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit të tyre janë të papranueshme”, ka theksuar Abbott. /Klankosova.tv