A u dërguan disa nga luftëtarët e Kumanovës, të vriteshin sepse ishin dëshmitarë të vrasjeve!?

Shkruan: Idriz Morina

Lista e të vrarëve, të atyre që kanë marrë pjesë në vrasje mund të jetë e barabartë apo edhe më e madhe se vetë numri i viktimave, të dhunës politike dhe të vrasjeve tjera të rënda pa motive politike.Nga atëherë kanë dalur plot informacione që e konfirmojnë përfshirjen e Shërbimit Informativ Maqedonas, deri tek pagesat e bëra në llogari të atyre, që e nxisnin apo e udhëhiqnin, grupin e luftëtarëve shqiptarë.
Një nga pistat se pse ndodhi tragjedia shqiptare “Kumanova” është ajo se nëse dikush nga politikanët në Kosovë deshi t’i sakrifikonte disa nga të dyshuarit për krime, në mënyrë që shumë prej tyre të mbesnin misterioze.

Përveç qëllimit patriotik të shumë prej atyre që morën pjesë në ngjarjet e Kumanovës, disa prej tyre u dërguan në tradhti, duke realizuar qëllime personale.

Që kur ka ndodhur ngjarja e Kumanovës në vitin 2015, e kemi konceptuar se ajo ka ndodhur për disa motive.

Në fakt motivet e ndryshme kanë bashkuar, disa personalitete dhe drejtues të lartë të shtetit, në atë projekt që rezultoi fatal për së paku 10 shqiptarë të Kosovës dhe që dhjetëra të tjerë vazhdojnë të mbahen në burgun famëkeq të Idrizovës në Maqedoni.

Pista 1. Komploti Gruevski-Mijallkov-Ahmeti

Në disa raste, shkrime, kam renditur motivet e disa politikanëve në Kosovë dhe Maqedoni për ngjarjet e Kumanovës.

Njëri nga figurat kyçe që duhet hetuar se pse mori pjesë në komplot është ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Ai ishte i informuar saktësisht, sepse siç tregonin informacionet e mëpastajshme, në këtë rast ka komplotuar edhe Shërbimi Informativ i Maqedonisë.

Pra, sikur të kishte pasur qëllim pozitiv, dhe të mos kishin qenë komplotues, ish-kryeministri Gruevski dhe ish shefi Shërbimit Informativ, Sasho Mijallkov përpjekjen e grupit të shqiptarëve, do ta kishin neutralizuar që në fillim apo shumë më lehtësisht.

Gruevski ishte i përfshirë në bashkëpunim me Rusinë, kështu që i duhej një ‘akt patriotik’ për ta mbuluar veprimtarinë e tij në dobi të Rusisë, duke e prezantuar veten dhe qeverisjen e tij si të pazëvendësueshme, si gardiane e shtetit sllavomaqedonas në të gjitha rrethanat.

Ai po rrezikohej seriozisht nga opozita, e cila kishte filluar me zbulimin e përgjimeve të njerëzve kryesorë të shtetit, të cilat mund të zbulonin edhe përfshirjen e Rusisë.

Nga atëherë kanë dalur plot informacione që e konfirmojnë përfshirjen e Shërbimit Informativ Maqedonas, deri tek pagesat e bëra në llogari të atyre, që e nxisnin apo e udhëhiqnin, grupin e luftëtarëve shqiptarë.

Ndërsa, Ali Ahmeti, për shkak se disa miq të tij në Kosovë, ishin të gatshëm ta sakrifikonin një pjesë të grupit, dukej sikur të ishte edhe interlokutor për palët. Pak kohë para ngjarjeve atje, ai i bëri disa takime zyrtare në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn nga opozita.

Burime të tjera thoshin se ai ua kishte tërhequr vërejtjen për përpjekjet e grupit, madje duke i kërkuar parandalimin e ndodhisë. Sa është e vërtetë kjo, mbetet të hetohet, mbase nga një hetim ndërkombëtar.

Madje Ahmetin e akuzuan për tradhti më së shumti vetë të mbijetuarit e ‘grupit Kumanova’, sepse besonin se nga ai u tradhtuan më së shumti, meqë kishin shpresuar që në çastet më të rrezikshme të ndërhynte ai, pasi në pushtet ishte koalicioni VMRO-BDI.

Sikur rasti, të mos ishte inskenim nga shteti sllavomaqedonas, në rastin e Gushincës, që ndodhi vetëm pak ditë para përplasjes së armatosur në Kumanovë, shteti do të kishte ndërhyrë. Por, ajo pikë iu la në dorë, atyre, në mënyrë që ata të besonin se vërtetë Maqedonia nuk kishte shans tu rezistonte atyre.

Akuzat për komplot shtetëror

Sipas udhëheqësit të atëhershëm të opozitës Zoran Zaevit, duke folur për rastin e Gushincës kishte deklaruar se ishte komplot shtetëror. “Ne kemi indikacione të fuqishme se rasti është montuar nga pushteti”, u kishte deklaruar mediave Zaev në prill të vitit 2015.

Ndërsa, pikërisht për shkak të rastit të Gushincës Ali Ahmeti e kishte bërë vizitën në fjalë në Kosovë. Pas takimit me Fatmir Limajn kishte thënë që sulmi nuk ishte kryer ndaj shqiptarëve, por vetëm ndaj një stacioni policor.

Një reagim i tij, që e implikon në ngjarje, sepse ai në këtë mënyrë e inkurajonte grupin, që të vazhdonte me aksione në vendbanime shqiptare, dhe se aktet e tilla pra duken patriotike.

Është interesante se qeveria e Gruevskit ishte akuzuar për dhënien e 2 milionë eurove që ta destabilizonte vetë vendin, pasi ishte në prag të tronditjeve, meqë opozita e drejtuar nga Zaevi, po i publikonte përgjimet.

Stojanço Angellov, duke e vlerësuar rastin e Gushincës, si një nga ish-komandantët kryesor të forcave speciale policore maqedonase në konfliktin e vitit 2001 me shqiptarët, e kishte akuzuar pushtetin se “ka ndarë dy milionë euro për të inskenuar ngjarje të tilla me qëllim destabilizimin e vendit”.

Pra, edhe informacionet, edhe analizat paraprake dëshmonin dhe dëshmojnë se ngjarjet Gushincë-Kumanovë, ishin të inskenuara nga shteti sllavo-maqedonas!

Në Kumanovë, nga forca të shumta policore dhe ushtarake u qëlluan pamëshirshëm në befasi, grupi i shqiptarëve.

Në fakt më shumë se sa në befasi, ata u tradhtuan sepse sipas informacioneve të tyre ata ishin në një shteg të sigurtë rrugëtimi dhe po prisnin urdhrin e ri.

Pista 2, Haradinaj – Thaçi

Të paktën dy nga viktimat e grupit Kumanova, Beg Rizaj dhe Xhafer Zymberaj, kishin qenë të afërt dhe me rol në organizimet e Ramush Haradinajt.

Zyberaj, madje së fundi (para ngjarjeve në Kumanovë), ia kishte dalur, që të ishte pjesë e garës zgjedhore të AAK-së për Kuvendin e Republikës, duke qenë kandidat për deputet.

Zyberaj ka qenë i akuzuar fillimisht në rastin e vrasjes së policëve me 2004, njëri i UNMIK-ut dhe tjetri shqiptar i Kosovës.

Bashkë me Zyberajn të arrestuar dhe të akuzuar kanë qenë Shkumbin Mehmeti, Nazim Kadriu, Arben Ahmeti, Arsim Rashiti, Jeton Sylejmani, Osman Kelmendi, Florim Ejupi, Xhavit Kosumi, Faik Shaqiri, Nezir Kelmendi, Irfan Ademi dhe Bajram Kiqmari.

Ai dhe disa të tjerë ishin liruar nga Gjykata Supreme e Kosovës si të pafajshëm. Por, pse u dërgua atje në luftime, mbetet ende enigmatike, meqenëse ka qenë kandidat i AAK-së për deputet, nuk duket që t’i ketë prishur raportet me Ramush Haradinajn, apo mbase edhe i kishin ndarë rrugët.

“Shqiponjat e zeza”

Figura tjetër Begë Rizaj, njihej si shumë problematike, e fuqishme, dhe madje ishte një prej atyre, që nuk ua kishte frikën fare as Ramush Haradinajt dhe asnjë grupi tjetër. Por, ai kishte qenë ushtar i Ramush Haradinajt, në njësitin famëkeq, “Shqiponjat e zeza”.

Rizaj i kishte prishur aq shumë raportet me Ramush Haradinajn, saqë mund të ishte aq agresiv me të, sa edhe të përplasej kudo.

Këto raporte të tij ishin më të ‘normalizuara’ në kohën e organizimit të hyrjes në Maqedoni.

Sipas një informacioni, mendohet që Beg Rizaj, dhe disa të tjerë mund të kenë ngrënë një darkë me qengja në Gllogjan me Ramushin, vetëm pak kohë para aksionit!

Rizaj përveç se i fuqishëm, ishte edhe i ashpër e agresiv, aq sa atje ku ndodhej ai, mund të hynte në konflikt apo ta rrihte e sulmonte këdo, kuptohet bashkë me kërcënimin e armëve. Në grupin e tij kishte njerëz të rrezikshëm, dhe më të pandashmin e kishte Mirsad Ndrecajn.

Eliminimi i dëshmitarëve

Ndoshta, për Ndrecajn nuk ka dyshime për ndonjë vrasje, por për Beg Rizën, ka dyshime se pas luftës mund të ketë qenë i përfshirë në aksione të vrasjeve, por jo të viktimave të para. Ai dyshohet se mund të ketë marrë pjesë në eliminim të dëshmitarëve.

Pra, në këtë kontekst duket se njerëzit e dyshuar për krime të rënda, po përpiqeshin t’ia hidhnin paqtë drejtësisë, duke ua hedhur fajin atyre që kanë vdekur.

Sot, lista e të vrarëve, të atyre që kanë marrë pjesë në vrasje mund të jetë e barabartë apo edhe më e madhe se vetë numri i viktimave, të dhunës politike dhe të vrasjeve tjera të rënda pa motive politike.

Kështu, këto informacione japin indikacione të mjaftueshme, që një motiv i tradhtisë, i realizuar në Kumanovë, ishte edhe ‘zhdukja e provave’, njerëzve që mund të dëshmonin për krimet e kryera.

Në rastin “Kumanova” u burgosën 31 anëtarë të grupit, dhe Gjykata Penale e Shkupit i ka dënuar me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës. Shtatë veta janë dënuar me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me 40 vjet burg, 6 veta me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy të tjerë me nga 13 vjet.

Kështu me 9 maj 2015 shumica apo me përjashtim të një grupi fare të vogël u therorizuan, dhe iu nënshtruan terrorit maqedonas në tradhti, pavarësisht që falë përgatitjes së veçantë luftarake të disa prej tyre, arritën që t’i vrisnin 8 veta nga forcat sllavomaqedonase, por ndër ta pat edhe shqiptarë.