A mund të ri-kthehet regjimi “VMRO-BDI” dhe përse SHBA dhe BE-ja po kërkojnë Qeveri Europiane?

Zvarritja dhe lojërat e BDI-së në bisedimet për koalicionim për qeverinë e ardhshme tregon se partia shqiptare BDI partner shumëvjeçar i VMRO-DPMNE-së mundohet që nëpërmjet kushtëzimit me floskulën e “Kryeministrit Shqiptarë” të ri-kthejë VMRO-në në pushtet dhe Gruevskin nga egzili. Një pjesë e funksionarëve të BDI, që kanë bashkëpunuar ngushtë me Gruevskin e ndjejnë se në vitin 2016, pavarësisht trysnisë së faktorit ndërkombëtar, kanë bërë “mëkat” që në atë mënyrë tradhëtuan partnerin e deriatëhershëm,prandaj gjatë gjithë mandatit me LSDM-në kanë koketuar dhe punuar për llogari të VMRO-së. A mundë të ri-kthehet regjimi? Projekti i ri-kthimit të Regjimit sipas kronologjisë së zhvillimeve është në koordinim të vazhdueshëm me VMRO dhe kjo dëshmohet nga amnistia që Talat Xhaferi nëpërmjet shkeljes së procedurave parlamentare amnistoj ish-Kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovski, njërin ndër personat më përgjegjës për ngjarjet e 27 Prillit.

Gjithashtu, amnestimi dhe dhënia e tenderëve të akuzuarit për 27 Prillin, Krsto Mukovski, tregon se BDI edhe në qeverisje me LSDM nuk ka harruar partneritetin me VMRO. Ishte evidente që BDI gjatë qeverisjes me LSDM jo vetëm që koketonte vazhdimisht me VMRO, por edhe ka bllokuar LSDM-në sa i përket avancimit të mirëqenies ekonomike të shqiptarëve me qëllim që të pasqyrojë Zaevin si anti-shqiptar dhe të rifitojë 40 mijë votat shqiptare që shkuan në LSDM me çka më lehtë do të bënte koalicion me VMRO. E kujt ishte dhe nga doli ideja për “Kryeministrin Shqiptar” Megjithatë, për të mos i lënë asgjë rastësisë BDI dhe VMRO filluan PR- projektin e radhës të quajtur “Kryeministri Shqiptar” me çka BDI do të kushtëzonte LSDM për qeverisje dhe Z. Zaev nuk do mundë të krijonte shumicën në afatin e paraparë ligjorë dhe mandati do ti jepej VMRO-së ose BDI-së më pas nëse refuzon VMRO, me çka BDI do të formonte shumicë me VMRO dhe praktikishtë do të ri-kthehej regjimi famëkeq VMRO-BDI, bashkë me Gruevskin nga Budapesti.

Ky koalicion,me qëllim amnestimin nëpërmjet ligjit të politikanëve të koruptuar të të dy palëve dhe rikthimin e Gruevskit në Maqedoni si hero. Por cili është “makthi i vërtet” i BDI? Arsyeja e vërtetë,se përse BDI e ka shumë të rëndësishme rikthimin e VMRO në pushtet, janë rastet e montuara politike. Frika e rihapjes së tyre është një “mankth i vërtet” për BDI sepse shumë funksionarë mundë të përfundojnë në burg, ndoshta edhe të përjetshëm,prandaj vetëm kthimi i VMRO në pushtet do të ishte garancë për lirinë e tyre. Ç’ka e pret vendin nëse kthehet regjimi? Rikthimi i regjimit nuk do të kishte fuqi që të rikthejë proceset e arritura në politikën e jashtme, siç është Marrëveshja e Prespës, apo Marrëveshja me Bullgarinë, sepse vendi më tani më është pjesë e NATO-s, por sigurisht se do të vendoste në “standby” procesin e bisedimeve për kyçjen në BE, pasi që kushti më rrënjësorë i BE-së janë reformat në Gjykatë dhe Prokurori, Vetingu dhe kërkimi i përgjegjësisë penale për politikanët e inkriminuar, proces ky që nuk mund të bëhet as me një parti pjesëmarrës në regjim, e mos të flasim sikur regjimi VMRO-BDI të rikthehej vërtetë. Në këtë rast Maqedonia e Veriut do të hynte në një humnerë pa fund dhe destabilizim të brendshëm.

Cila është përgjegjësia e LSDM dhe partive shqiptare si Aleanca për Shqiptarët, Besa dhe Alternativa në një situatë të këtillë? Jo rastësisht zyra e BE-së dhe përfaqësues diplomatikë nga vendet më me ndikim si Gjermania, Franca,Anglia dhe mbi të gjitha SHBA kanë përshëndetur marrjen e mandatit nga ana e LSDM-së duke potencuar qartë se vendit i duhet një qeveri e orientuar qartë drejtë BE-së dhe e përkushtuar në reforma në drejtësi,luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është dëshmi e qartë se ekziston mundësia reale dhe grupacione politike po punojnë për të penguar krijimin e një Qeverie që do të përmbush pritshmëritë e BE dhe SHBA në mandatin e ardhshëm. Partitë politike shqiptare oponentë politik të BDI duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm që të kuptojnë peshën dhe rëndësinë e momentit e të mos lejojnë kthim mbrapa sepse kjo më së shumti do të dëmtonte shqiptarët si popull në Maqedoninë e Veriut.

Autori: Shefik Duraku-Shef i Departamentit për Informim pranë Aleancës për Shqiptarët