A është ish-këshilltari i Zaevit i përfshirë në aferën e spiunazhit në Kosovë për bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe?

Emri i Viktor Petrushevskit, ish-këshilltarit për vetëqeverisjen lokale të ish-kryeministrit Zoran Zaev, përmendet në materialet e aktakuzës në Kosovë kundër analistit politik Fatmir Sheholdit, i cili akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Megjithatë, Petrushevski i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo lidhjeje të tij me struktura të inteligjencës.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 25 gusht ngriti aktakuzë kundër Sheholdit, duke pretenduar se ai ishte rekrutuar nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe se mblidhte dhe transmetonte informacione për aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë.

Sipas pjesëve të aktakuzës të publikuara nga mediat kosovare, më 20 dhe 21 dhjetor 2024, Sheholdi kishte komunikuar përmes aplikacionit WhatsApp me Petrushevskin, ndërsa në këto komunikime ishte diskutuar organizimi i një takimi me Bojan Dimiqin, i cili nga hetuesit kosovarë është identifikuar si pjesëtar i BIA-s.

Aktakuza pretendon se takimi u realizua më 25 dhjetor dhe, sipas komunikimeve të publikuara, Sheholdi i kishte dërguar Petrushevskit numrin e telefonit të një personi, për të cilin hetuesit kishin përcaktuar se përdorej nga Dimiqi.

Në këtë rast përmendet edhe një kontakt i ruajtur me emrin “Viktor Macedonia”. Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Sheholdi i kishte dërguar këtij kontakti një dokument të shënuar “Top Secret 2”.

Mediat kosovare e lidhin këtë kontakt me Petrushevskin për shkak të përputhjes së emrit dhe komunikimeve të tjera të përmendura. Megjithatë, në informacionet e bëra publike deri tani nuk ka ende ndonjë vendim gjyqësor që përcakton se Petrushevski ka qenë pjesë e ndonjë rrjeti të inteligjencës.

Në një deklaratë për televizionin “Alsat”, Petrushevski i mohoi pretendimet se kishte dijeni për ndonjë lidhje të Sheholdit me shërbimet serbe të sigurisë.

“Me Fatmirin jam njohur para 2-3 vitesh, në një takim ku merrte pjesë edhe ai. Atëherë më është prezantuar si drejtor i një instituti. Pas një periudhe filluam të komunikonim për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon”, deklaroi Petrushevski.

Ai pretendon se më vonë Sheholdi ishte interesuar për aktivitetin e tij biznesor dhe i kishte thënë se kishte kontakte në Serbi përmes të cilave mund ta ndihmonte në biznes.

“Më dërgoi numrin e kontaktit të një personi nga Serbia. Kur mora vesh se për kë bëhej fjalë dhe se ai nuk kishte lidhje me këtë biznes, vendosa të mos kontaktoj më kurrë me të”, pretendon Petrushevski.

Ai shtoi se kishte zhvilluar edhe një takim të shkurtër me persona të rekomanduar nga Sheholdi, por se komunikimi më pas nuk kishte vazhduar.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sheholdi dyshohet se deri në arrestimin e tij në tetor 2025 kishte vepruar sipas urdhrave të zyrtarëve të BIA-s dhe kishte mbledhur informacione dhe dokumente me interes për shërbimin sekret serb.

Përveç spiunazhit, ai akuzohet edhe për shantazh ndaj një personi nga Kosova, të cilit, sipas aktakuzës, i kishte kërkuar një shumë më të madhe se 13.000 euro.

Çështja ndodhet para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa seanca e parë është caktuar për 7 shtator.

Ndërkaq, Viktor Petrushevski në janar të vitit 2021 ishte emëruar këshilltar për vetëqeverisjen lokale i kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev, ndërsa në raportimet e mediave kosovare për këtë rast aktual ai përshkruhet si biznesmen nga Maqedonia e Veriut. (vestimak.mk)