Në vend se të mbajnë mësimin on-line nga shkolla, respektivisht nga klasa, arsimtarët të mbajën këtë mësim nga shtëpia. Ky është propozimi i fundit i Shtabit të krizës në Kumanovë, raporton gazeta Lajm.
Sipas këtij propozimi, realizimi i mësimit nga shtëpia për arsimtarët që ligjërojnë on-line, ul numrin e kontakteve dhe me këtë edhe rrezikun nga përhapja e Covid 19.
“Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim u rekomandon personave udhëheqës në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme komunale, në pajtim me autorizimet e tyre, ta reduktojnë prezencën fizike të kuadrit mësimor nëpër shkolla që realizon mësim on-line dhe të njëjtin ta realizojnë nga shtëpia, me qëllim që të ulet numri i kontakteve fizike mes të punësuarve nëpër shkolla”, thuhet në këtë rekomandim.
Një mundësi të tillë më herët e ka paralajmëruar edhe vetë ministrja e arsimit, Milla Carovska.