Vendimi i djeshëm i Ministrisë së Shëndetësisë për izolimin e qyteteve që kanë shifra më të mëdha të të infektuarve ka çrregulluar qarkullimin dhe funksionimin në qytete.
Në hyrjen për në Prishtinë nga Fushë Kosova janë krijuar kolona të gjata të veturave të cilat po kontrollohen nga policia e vendosur në hyrje, shkruan lajmi.net.
Në fotografitë që ka pranuar lajmi.net, shihen se kolonat janë të gjata dhe pritjet e qytetarëve për të hyrë në Prishtinë janë të mëdha.
Me vendimin e djeshëm të MSH-së, janë kufizuar një numër i madh i aktiviteteve ekonomike duke mos i përfshirë barnatoret dhe marketet e vogla që ofrojnë shërbime të ushqimeve.
Lexuesit për lajmi.net kanë dërguar edhe fotografi që tregojnë se kontrolla të policisë po bëhen edhe në Bresje në funksion të respektimit të vendimit të djeshëm të autoriteteve shtetërore.
Në anën tjetër, këto masa të qeverisë do të zgjasin deri të hënën në ora 05:00 të mëngjesit dhe më tej do të shqyrtohen masat e tjera.








