Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancën plenare për votimin ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Gjatë kësaj seance për mungesë të votave nuk ka arritur të ratifikohet asnjë marrëveshje, njofton Klan Kosova.
Në rend të ditës për votim ishin:
• Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
• Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
• Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
• Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
• Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Të gjitha këto pika morën nga 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka konstatuar se këto marrëveshje nuk arritën të votohen dhe se do të votohen edhe një seancë tjetër.
Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, para fillimi të procesit të votimit ka marrë fjalën duke thënë se deputetët e PDK-së do të votojnë dhe se janë në përkrahje të këtyre marrëveshjeve.
“PDK nuk ka qenë kundër, ne i kemi negociuar dhe nënshkruar disa prej këtyre marrëveshjeve sa keni qenë në pozitë”, ka thënë Hamza.