Përgatituni për acarin e madh: nga java e ardhshme temperaturat në deri në -18 gradë

Pas reshjeve të borës dhe shiut që përfshinë vendin, Maqedonia nga fillimi i javës së ardhshme do të hyjë në një periudhë me temperatura dukshëm të ulëta. Pritet stabilizim i kushteve atmosferike, por i ftohti do të jetë veçanërisht i theksuar në orët e mëngjesit, kur në disa zona temperaturat do të zbresin deri në -18 gradë Celsius.

Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), sot moti do të shoqërohet me reshje shiu dhe bore, si dhe me erë të përforcuar nga veriu. Në shumë vende pritet të krijohet shtresë dëbore.

Pas përfundimit të reshjeve, nga fillimi i javës së ardhshme do të mbizotërojë mot stabil, por shumë i ftohtë. Temperaturat më të ulëta do të regjistrohen në orët e mëngjesit, ndërsa në disa pjesë të vendit termometri mund të zbresë deri në -18 gradë Celsius.

Kushtet dimërore nuk do ta anashkalojnë as rajonin më të gjerë të Ballkanit. Në Serbi priten reshje shiu, shi të ngrirë dhe borë, ndërsa shtresë dëbore do të krijohet edhe në zonat më të ulëta. Deri të dielën në mëngjes, në pjesët fushore parashikohen 5 deri në 20 centimetra borë, ndërsa në zonat malore mbi 30 centimetra.

Për shkak të reshjeve të dendura të paralajmëruara, në Serbi janë aktivizuar alarmet meteorologjike të verdha dhe portokalli. Meteorologët paralajmërojnë për dukshmëri të reduktuar, grumbullime të borës dhe vështirësi në qarkullimin e trafikut.

Një valë e ftohtë, e shoqëruar me erë të fuqishme, ka goditur edhe Kroacinë. Bora tashmë ka mbuluar disa zona më të ulëta, ndërsa në bregdetin e Adriatikut priten goditje të forta të erës. Për kanalin e Podvelebit është lëshuar alarm i kuq, për shkak të mundësisë së erës së stuhishme me shpejtësi deri në 165 kilometra në orë.

Meteorologët kroatë paralajmërojnë për ndërprerje të mundshme të trafikut dhe furnizimit me energji elektrike, si dhe për rrezikun nga rrëzimi i pemëve, thyerja e degëve dhe bartja e objekteve nga era e fuqishme.

Reshje bore ka sot edhe në Sarajevë, ndërsa mot me reshje dhe temperatura të ulëta, i shoqëruar me borë dhe shi të ngrirë, parashikohet edhe në pjesët tjera të Bosnjë e Hercegovinës./28 nëntor 2026 | 4news.mk