Izet Mexhiti merr pjesë në festimet e 28 Nëntorit në shkollën “Liria” në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në aktivitetet festive të organizuara nga shkolla fillore “Liria”, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Përmes një postimi, Mexhiti ka vlerësuar programin e përgatitur nga nxënësit, të cilët e kanë shënuar këtë festë me këngë, recitime dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Ai ka theksuar simbolikën e veçantë që 28 Nëntori ka për shkollën “Liria”, duke e lidhur këtë datë me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe historinë e lirisë kombëtare shqiptare.

Mexhiti ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e përcjelljes së historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare te brezat e rinj, duke vlerësuar se ruajtja e identitetit kombëtar është një trashëgimi që duhet të vazhdojë nga brezi në brez.

Në fund, kryetari i Çairit ka përgëzuar drejtoreshën e shkollës, Teuta Idrizi, stafin dhe nxënësit për organizimin dhe programin festiv.