Dimri në Shkup: Borë gjatë fundjavës, temperaturat zbresin deri në minus 8 gradë

Reshje borë dhe ulje e ndjeshme e temperaturave paralajmërohen për këtë fundjavë në Shkup, ndërsa nga fillimi i javës së ardhshme priten ngrica të forta në orët e mëngjesit.

Pas reshjeve të shiut të premten dhe të shtunën, të dielën, më 29 nëntor, pritet një ftohje e menjëhershme, me temperatura ditore prej vetëm 3 gradësh Celsius dhe mundësi për reshje shiu dhe bore.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, reshjet e borës janë më të mundshme në zonat më të larta të Luginës së Shkupit.

Nga e hëna reshjet pritet të ndërpriten, por do të pasojë një periudhë me mot shumë të ftohtë. Sipas AccuWeather, të martën dhe të mërkurën, më 1 dhe 2 dhjetor, temperaturat minimale pritet të zbresin deri në minus 8 gradë, ndërsa ato ditore do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 2 gradëve Celsius.

Temperaturat e ulëta krijojnë rrezik për ngrica në rrugë dhe trotuare, ndaj shoferëve dhe këmbësorëve u rekomandohet kujdes i shtuar.

Megjithëse të dielën priten reshje të mundshme bore, ende nuk ka paralajmërime të sigurta për formimin e një shtrese të konsiderueshme bore në Shkup.

Nga fundi i javës së ardhshme pritet rritje graduale e temperaturave, të cilat më 6 dhjetor mund të arrijnë deri në 8 gradë Celsius.

Parashikimet meteorologjike për fillimin e dhjetorit mund të pësojnë ndryshime.