Përplasje mes Selës dhe Gashit në Kuvend: Nëse keni marrëveshje me BDI-në, do t’jua çjerrim maskën!

Deputeti Zijadin Sela është përplasur me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me renditjen e deputetëve për parashtrimin e pyetjeve parlamentare, duke ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Gashit dhe BDI-së.

“Nëse ju keni ndonjë marrëveshje me BDI-në, në mënyrë që të mbeten në hije deputetët e partive të tjera, kjo është çështje juaja. Por, nëse ka diçka të tillë, ne do t’jua çjerrim këtë maskë”, deklaroi Sela.

Kryeparlamentari Gashi i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se nuk ka asnjë padrejtësi.

Sela, ndërkaq, insistoi se deputetët që nuk janë të organizuar në grup parlamentar nuk janë konsultuar për renditjen e parashtrimit të pyetjeve.

“Ne nuk varemi nga asnjë forcë politike. Nuk veprojmë me sinjale nga kjo anë, siç veprojnë disa të tjerë, apo nga ana tjetër. Prandaj, me ne askush nuk është konsultuar lidhur me renditjen e deputetëve që duhet të parashtrojnë pyetje sot”, theksoi Sela.