Pllakat e mermerit që shkëputen nga fasada e Gjykatës Supreme në Shkup po rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të punonjësve të këtij institucioni.
Prej kohësh, hapësira përreth objektit është rrethuar me shtylla dhe zinxhirë, ndërsa qytetarët paralajmërohen përmes një mbishkrimi se ndalohet lëvizja pranë fasadës së ndërtesës.
Nga Gjykata Supreme konfirmojnë se masat janë ndërmarrë për shkak të shkëputjes dhe rënies së pllakave të mermerit, por nuk japin një afat konkret se kur do të rikonstruktohet fasada.
Sipas Gjykatës, fillimisht duhet të sigurohen mjete financiare për hartimin e dokumentacionit projektues, në bazë të të cilit do të përcaktohen vëllimi i punimeve dhe kostoja e rikonstruksionit.
Nëse miratohen fondet e kërkuara, do të iniciohet procedura e prokurimit publik për hartimin e projektit fillestar.
Deri atëherë, qytetarët dhe punonjësit që frekuentojnë Gjykatën Supreme do të vazhdojnë të përballen me rrezikun e rënies së pllakave nga fasada, shkruan “Sloboden Peçat”.






