Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar lart rolin historik të Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke theksuar se kontributi i saj nuk duhet të harrohet për shkak të një incidenti të fundit në Bruksel.
Sipas Surroit, mediat dhe intelektualët sllovenë ishin ndër të parët që denoncuan represionin serb në Kosovë, ndërsa Lubjana u shndërrua në një dritare të rëndësishme për të vërtetën mbi Kosovën.
Ai rikujtoi se në vitin 1989 Sllovenia tërhoqi policët e saj nga njësitë e përbashkëta në Kosovë dhe organizoi tubime solidarizuese me shqiptarët. Surroi përmendi gjithashtu faktin se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, gjatë kryesimit slloven të Bashkimit Evropian.
Duke komentuar incidentin në një koncert në Bruksel, ku një grup muzikor slloven interpretoi një instrumental të një kënge nacionaliste serbe, Surroi theksoi se një incident i tillë nuk mund ta zbehë kontributin historik të Sllovenisë për Kosovën.
“Gjeneratat e reja në Kosovë duhet ta dinë e të vjetrat të mos e harrojnë kontributin e jashtëzakonshëm të Sllovenisë për Kosovën”, ka porositur Surroi. *Status facebook’u i z.Veton Surroi



