Mickoski: Autostrada Tetovë–Ohër pritet të përfundojë deri në vitin 2029

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ndërtimi i lidhjes autostradore nga Tetova deri në Ohër po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2029.

Ai bëri të ditur se, krahas segmenteve Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ka nisur edhe ndërtimi i segmentit Bukojçan–Kërçovë, i cili do të lidhet me autostradën Kërçovë–Ohër.

Mickoski pret që autostrada Kërçovë–Ohër të lëshohet në përdorim deri në fund të tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, për vazhdimin e trasesë nga Trebenishta drejt pikës kufitare Qafë Thanë, për shkak të zonës së mbrojtur nga UNESCO, do të duhet të shqyrtohet një zgjidhje alternative teknike.