Koraboski në paraburgim për 30 ditë, dyshohet për dhunë ndaj partneres.

Gjykata Themelore në Ohër i ka caktuar 30 ditë paraburgim 31-vjeçarit Kristian Koraboski, i dyshuar për sulm fizik ndaj partneres së tij 26-vjeçare, Sara Gj.

Kundër tij po zhvillohet procedurë për tri vepra penale: lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë.

Sipas informacioneve nga Prokuroria, gjatë ushtrimit të dyshuar të dhunës në familje, Koraboski dyshohet se e ka mbyllur partneren në mënyrë të kundërligjshme, e ka sulmuar fizikisht, i ka shkaktuar lëndime trupore dhe i ka rrezikuar sigurinë.

Pas raportimit të rastit, prokurori publik ka ndërmarrë disa veprime për zbardhjen e rrethanave. E dëmtuara është marrë në pyetje në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale, ndërsa është kryer edhe ekspertizë për llojin dhe karakterin e lëndimeve të saj.

Paraburgimi është caktuar me kërkesë të Prokurorisë kompetente, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të papenguar të procedurës.

Rasti ka marrë një dimension tjetër pasi është arrestuar edhe babai i Sarës. Ai është mbajtur në stacion policor pas një denoncimi nga nëna e Kristian Koraboskit, e cila pretendon se babai i vajzës i kishte drejtuar kërcënime telefonike djalit të saj dhe gjithë familjes. Për të është paralajmëruar ngritja e kallëzimit përkatës.