Pritë në mes të natës në Gostivar! Ua bllokuan rrugën me vetura dhe i rrahën brutalisht dy të rinjtë!

Dy të rinj nga Gostivari kanë përfunduar me lëndime trupore pas një sulmi fizik nga disa persona, të cilët fillimisht ua bllokuan rrugën me automjete dhe më pas i sulmuan.

Ngjarja ka ndodhur më 8 nëntor, rreth orës 03:00 pas mesnate, në rrugën lokale ndërmjet fshatrave Çajle dhe Balindoll të Gostivarit.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, sulmuesit kanë ndaluar automjetin me të cilin udhëtonin 23-vjeçari Xh.J. dhe 25-vjeçari A.Z., duke i penguar të vazhdonin rrugën, pas së cilës i kanë sulmuar fizikisht.

Të dy të rinjtë kanë pësuar lëndime trupore, të konstatuara nga mjekët e Qendrës Mjekësore në Gostivar.

Policia po ndërmerr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.