Debati politik për rastin “Alta Banka” ka thelluar përplasjet mes VLEN-it dhe BDI-së. Blerim Sejdiu nga VLEN akuzon ish-qeverinë LSDM–BDI se në tetor të vitit 2023 kishte miratuar hyrjen e bankës në Maqedoninë e Veriut.
Sejdiu pretendon se dokumentet e publikuara gjatë debatit parlamentar dëshmojnë përfshirjen e ministrave të BDI-së në mbledhjen qeveritare të 24 tetorit 2023.
“Për Alta Bankën ka vendosur Ministria e Financave, e drejtuar nga Fatmir Besimi, së bashku me ministrat e tjerë të BDI-së”, deklaroi Sejdiu.
Nga ana tjetër, BDI i hedh poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se vendimi i atëhershëm kishte për qëllim mbrojtjen e interesave shtetërore dhe jo lejimin e hyrjes së bankës.
Dy palët vazhdojnë të japin interpretime të kundërta për të njëjtin dokument qeveritar, ndërsa mbetet e diskutueshme nëse vendimi i vitit 2023 përbënte miratim për hyrjen e bankës apo masë për mbrojtjen e interesave të shtetit.





