Kriteri i Serbisë dhe jo i Partisë si etalon për Xhafer Devën

Besmir LUSHAJ
Në hulumtimet e saj, historiania zvicerane Franziska Zaugg e portretizon Xhafer Devën si njeriun që Beogradi e shihte si kërcënimin kryesor të tij.
Sipas saj, Xhafer Deva dhe Bedri Pejani dëbuan mbi 40 mijë kolonë serbo-malazezë nga Kosova gjatë viteve 1941–1944, kolonë të cilët ishin vendosur në Kosovë në periudhën ndërmjet dy luftërave botnore, duke marrë në zotërim edhe tokat e shqiptarëve autoktonë.

Po ashtu, shtypi serbo-jugosllav, nga “Borba”, “Novosti”, “Politika” e deri te “NIN-i”, revieta ideologjiko-propagandistike e UDB-së, e portretizonin Xhafer Devën si kundërshtarin ma të madh të interesave serbe në Kosovë.
Këto organe dëshmojnë qëndrimin e përbashkët ndaj Devës të monarkistëve dhe komunistëve serbosllavë.

Gjatë Luftës së Dytë Botnore ekzistojnë dokumente ku faktohen dëshmitë e përpjekjeve serbe për ta blerë Xhafer Devën, përpjekje këto të pranuara edhe nga vetë ata. Në pamundësi për ta blerë, u urdhërua vrasja e tij me çdo kusht.

Xhafer Deva, si drejtues i Mitrovicës në vitin 1941, hapi 40 shkolla shqipe në këtë rajon, me mësues që vinin edhe nga Shqipnia, ndërsa xhandarmëria e tij, me në krye Pajazit Boletinin (djalin e Isa Boletinit), parandaloi shumë sulme çetnike të Drazha Mihailovićit, të cilat synonin spastrimin etnik në hapësirat shqiptare.

Kosta Pecanac, komandanti çetnik, në shënimet e tij nga koha e Luftës së Dytë Botnore, pohon se Xhafer Deva ishte pengesa ma e madhe e planeve serbe për risundimin e Kosovës.

Xhafer Deva, edhe gjatë gjithë jetës së tij në emigrim, u ndoq nga UDB-ja. Ai u sulmua pandërprerë nga organet e shtypit serb si kërcënimi ma serioz për Jugosllavinë e Titos dhe Rankoviait, e cila zbatoi çdo etapë të pushtetit ma mizor të mundshëm: nga masakrat masive, spastrimi etnik rikolonizimi dhe dëbimi i popullatës shqiptare.

Interesant mbetet fakti se qëndrimi i Serbisë ndaj Xhafer Devës mbeti i njëjtë edhe para pak vitesh, kur vetë Aleksandar Vuçiqi kundërshtoi me agresivitet riparimin e shpisë së tij në Mitrovicë.

Prej vitit 1941 e deri në ditët e sotme, qëndrimi i Serbisë klero-fashiste ndaj Xhafer Devës mbetet i njëjtë.
85 vjet armik i përbetuar i Serbisë, armik edhe në mesin e një pjese të shqiptarëve!
A mos ka ardhë koha që këtë figurë, kaq shumë të urryer nga shovinistët shfarosës të trojeve shqiptare, të mos e kemi po aq armik sa Beogradi?

Foto: Xhafer Deva