Blerjet online nga platformat ndërkombëtare si Temu, Shein dhe AliExpress po përballen me kosto të reja në Bashkimin Evropian. Sipas raportimit të Skopjeinfo, nga 1 nëntori ka hyrë në zbatim një tarifë administrative prej 2 eurosh për artikull, për mallrat që porositen nga vendet jashtë BE-së.
Masa synon të mbulojë shpenzimet e kontrollit doganor dhe përpunimit të miliona dërgesave të vogla që mbërrijnë çdo ditë në tregun evropian.
Kjo pagesë është e ndarë nga tarifa e përkohshme doganore prej 3 eurosh për dërgesat me vlerë nën 150 euro, e cila, sipas artikullit, zbatohet që nga 1 korriku.
Ndërsa tarifa doganore synon krijimin e kushteve më të barabarta ndërmjet tregtarëve tradicionalë dhe platformave ndërkombëtare, pagesa administrative lidhet me shpenzimet për kontrollin dhe përpunimin e porosive.
A do të shtrenjtohen porositë edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut?
Për blerësit në Maqedoninë e Veriut, tarifat e reja të BE-së nuk nënkuptojnë automatikisht pagesa shtesë.
Meqenëse vendi nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, porositë që mbërrijnë drejtpërdrejt në Maqedoni vazhdojnë t’u nënshtrohen rregullave vendore doganore dhe tatimore.
Megjithatë, ndryshimet në tregun evropian mund të ndikojnë në mënyrë të tërthortë në kostot e transportit dhe çmimet e porosive që kalojnë përmes qendrave të shpërndarjes në BE.





