Prof.Sulejman Mehazi
Në ish-Jugosllavi, Republika e Maqedonisë, sipas Kushtetutës federale, nuk ishte vetëm e maqedonasve, por edhe e shqiptarëve dhe turqve. Përderisa Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi ishin shtete kombëtare, dy republikat e tjera, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, u ndërtuan nga popujt që jetonin brenda kufijve të tyre.
Bosnjë-Hercegovinën e ndërtuan myslimanët boshnjakë, serbët ortodoksë dhe kroatët katolikë, ndërsa Republikën e Maqedonisë e ndërtuan serbët ortodoksë – maqedonasit, shqiptarët ortodoksë dhe myslimanë, si dhe turqit myslimanë.
Pra, nëse pavarësia e Bosnjë-Hercegovinës u krijua sipas Kushtetutës, mbi bazën e tre popujve boshnjakë, serbë dhe kroatë, atëherë edhe Maqedonia duhej të bëhej shtet i pavarur brenda kornizës së saj kushtetuese, me popujt që jetojnë në këtë vend: maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, bullgarët, romët, boshnjakët etj.
Nuk ka dallim, sepse Maqedonia e Veriut u përket maqedonasve po aq sa edhe shqiptarëve autoktonë. Madje, edhe emri i këtij shteti nuk është kombëtar, si Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, por gjeografik: Republika e Maqedonisë së Veriut.
Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që emri gjeografik i një vendi të shndërrohet në emër kombëtar. Për shembull, që populli maqedonas të paraqitet si superior brenda një shteti që nuk ka emër kombëtar, por gjeografik, siç është Republika e Maqedonisë së Veriut.
Për maqedonasit është më shumë komike sesa tragjike që Republika e Maqedonisë së Veriut të konsiderohet vetëm e tyre, kur ajo u përket të gjithë shqiptarëve autoktonë, turqve që kanë mbetur nga Perandoria Osmane dhe serbëve që erdhën nga Serbia dhe krijuan Banovinën e Serbisë, e aq më pak mund të pretendohet se nuk u përket bullgarëve në Maqedoni.
Tito e krijoi Maqedoninë si shtet mbi bazën e tre popujve që jetonin në këtë territor para Luftës së Dytë Botërore: nga dy vilajetet shqiptare të Kosovës dhe Manastirit (Bitolës), nga Banovina e Serbisë dhe nga lindja, ku jetonin bullgarët.
Tito, për t’u bërë dëm shqiptarëve dhe bullgarëve, e krijoi Maqedoninë si shtet pa bazë kombëtare. Ai bashkoi pjesën perëndimore me shqiptarët dhe pjesën lindore me popullin bullgar, në një republikë të quajtur Maqedoni.



