Banka e paemëruar nga Beogradi dyshohet se ka nisur transferimin e përshpejtuar të mjeteve jashtë vendit. Banka Popullore e Serbisë reagoi, duke theksuar se sistemi bankar është nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Avokati serb Ivan Niniq ka kërkuar kontroll urgjent nga Banka Popullore e Serbisë (NBS), duke pretenduar se një bankë nga Beogradi ka nisur transferimin e shpejtë të mjeteve drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Shkup dhe Moskë.
Niniq nuk e ka bërë të ditur emrin e bankës. Në kërkesën drejtuar sektorit për kontrollin e bankave pranë NBS-së, ai pretendon se transferimet kanë nisur më 26 tetor, menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Serbi.
“Një bankë dje filloi të transferojë para jashtë vendit. Këtë mëngjes e njoftova NBS-në dhe kërkova mbikëqyrje urgjente, që depozituesit nga sektori publik të mos mbeten me llogari të zbrazëta”, ka shkruar Niniq në rrjetin social X.
Sipas dokumentit të publikuar prej tij, bëhet fjalë për transferim intensiv dhe të përshpejtuar të kapitalit likuid drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup, ku banka ose persona të lidhur me të, sipas pretendimeve të tij, kanë pjesëmarrje pronësore në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve.
NBS: Bankat veprojnë përmes kanaleve të rregullta
Niniq paralajmëron se një dalje e konsiderueshme e mjeteve mund të ndikojë në likuiditetin dhe depozitat e bankës, veçanërisht pasi, sipas tij, ndër depozituesit më të mëdhenj janë ndërmarrje publike, institucione dhe organe shtetërore.
Nga Banka Popullore e Serbisë reaguan ndaj këtyre pretendimeve, duke deklaruar se transferimet e institucioneve financiare realizohen përmes kanaleve të rregullta të qarkullimit të pagesave dhe në përputhje me rregulloret dhe procedurat e përcaktuara.
“NBS-ja kryen vazhdimisht mbikëqyrje dhe kontroll të veprimtarisë së të gjitha bankave, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar”, thuhet në reagimin e institucionit.
NBS paralajmëroi gjithashtu se përhapja e pretendimeve të paverifikuara mund të shkaktojë shqetësim të panevojshëm në opinion.
Megjithatë, institucioni nuk e identifikoi bankën për të cilën bëhet fjalë dhe as nuk njoftoi se janë konstatuar parregullsi në veprimtarinë e saj.
Kërkohet kontroll në terren dhe mbrojtje e depozitave
Avokati Niniq kërkon kontroll të jashtëzakonshëm në terren, përmes së cilës do të verifikoheshin vëllimi, baza dhe ligjshmëria e transferimeve jashtë vendit.
Ai ka kërkuar gjithashtu mundësinë e kufizimit të përkohshëm të transaksioneve drejt subjekteve të lidhura jashtë vendit, si dhe masa për mbrojtjen e likuiditetit dhe depozitave gjatë kohës së verifikimit.
Ivan Niniq është avokat nga Beogradi, i lindur në vitin 1988. Ai është i njohur në opinionin serb për angazhimin në çështjet e korrupsionit, transparencës dhe sundimit të ligjit.
Gjatë viteve 2014–2015 ishte i angazhuar në Këshillin për Luftën kundër Korrupsionit të Qeverisë së Serbisë, ndërsa ka punuar edhe në projekte dhe trajnime që lidhen me luftën kundër korrupsionit, prokurimet publike dhe qasjen në informacione.
Deri më tani nuk ka konfirmim të pavarur se transferimet e pretenduara përbëjnë nxjerrje të paligjshme apo të pazakontë të kapitalit. NBS-ja ka theksuar se sistemi bankar serb është nën mbikëqyrje të vazhdueshme.






