Dy peshkopë të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) pritet të udhëtojnë më 19 nëntor drejt Moskës, për të marrë pjesë në kremtimin e 80-vjetorit të patriarkut rus Kirill, që do të mbahet më 20 nëntor.
Sipas portalit Religija.mk, delegacioni është caktuar nga kryepeshkopi Stefan, ndërsa emrat e dy peshkopëve ende nuk janë bërë publikë. Vizita thuhet se po koordinohet edhe me institucionet shtetërore, për shkak të marrëdhënieve të ndjeshme me Rusinë, megjithëse do të ketë karakter ekskluzivisht kishtar.
Kjo pritet të jetë vizita e parë zyrtare e një delegacioni të KOM-KO-së në Kishën Ortodokse Ruse pas njohjes së autoqefalisë së saj.
Kremtimi organizohet në një periudhë tensionesh brenda botës ortodokse, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet Moskës dhe Patriarkanës Ekumenike.
Në ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të disa kishave ortodokse, përfshirë ato të Serbisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, megjithëse lista përfundimtare ende nuk është konfirmuar.
Sipas burimeve të Religija.mk, pjesëmarrja synon edhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të KOM-KO-së dhe zgjerimin e kontakteve me kishat e tjera ortodokse.
KOM-KO ende nuk ka dhënë konfirmim zyrtar për përbërjen e delegacionit. /4news.mk





