Dr.Dritan Demiraj Protestat e ditës së djeshme, të cilat përshkallëzuan tensionet në përmasa shqetësuese, dëshmuan edhe një herë se përdorimi i panevojshëm dhe joproporcional i forcës nga Policia e Shtetit, në vend që të garantojë rendin dhe sigurinë publike, rrezikon të shndërrohet në instrument të represionit politik.
Është e papranueshme dhe e pafalshme që qytetarët shqiptarë, studentët, të moshuarit dhe protestuesit e mbështjellë me flamurin tonë kombëtar të përballen me dhunë, në vend që të mbrohen në ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese!
Është e pashpjegueshme se si një pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat vetë përballen me paga të pamjaftueshme, mungesë vlerësimi profesional, padrejtësi institucionale dhe probleme serioze në drejtimin e tyre, pranojnë të përdoren kundër qytetarëve që protestojnë për një të ardhme më të mirë.
Policët shqiptarë janë bijtë dhe bijat e këtij kombi. Familjet e tyre vuajnë të njëjtat pasoja të keqqeverisjes, korrupsionit, varfërisë dhe shpopullimit që po godasin shoqërinë shqiptare.
Edhe ata jetojnë në një vend ku të rinjtë largohen çdo ditë, ku familjet po shpërbëhen nga emigracioni dhe ku politikat demografike e të punësimit ngrenë shqetësime serioze për të ardhmen kombëtare.
Atëherë, përse duhet të përdoret uniforma e shtetit kundër popullit të vet?
Si mund të justifikohet përdorimi i forcës kundër qytetarëve që mbajnë flamurin kuqezi, simbolin e sakrificave, dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar?
Uniforma e Policisë së Shtetit nuk është pronë e asnjë kryeministri, ministri apo partie politike. Ajo përfaqëson Republikën e Shqipërisë, Kushtetutën dhe interesin publik.
Një mesazh të drejtpërdrejtë dhe kolegjial për të gjithë drejtuesit, oficerët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit:
Mos harroni kurrë betimin tuaj!
Misioni juaj është mbrojtja e jetës, sigurisë, rendit publik dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, jo mbrojtja me çdo kusht e pushtetit politik të një qeverie.
Asnjë urdhër politik nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën dhe ligjin. Asnjë karrierë, gradë apo privilegj nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Dinjiteti i uniformës matet me respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e qytetarit, jo me besnikërinë ndaj pushtetit!
Drejtuesit politikë vijnë dhe ikin, qeveritë ndryshojnë, por përgjegjësia morale, profesionale dhe ligjore për veprimet e secilit mbetet.
Për këtë arsye, çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës, çdo dëmtim të protestuesve paqësorë dhe çdo urdhër të paligjshëm duhet të hetohet në mënyrë të pavarur, transparente dhe pa asnjë kompromis.
SOT, MË SHUMË SE KURRË, MERITOJNË RESPEKT DHE MIRËNJOHJE DJEMTË DHE VAJZAT TONA QË PREJ MË SHUMË SE KATËR MUAJSH VAZHDOJNË TË PROTESTOJNË PËR DINJITETIN, LIRINË DHE TË ARDHMEN E SHQIPËRISË!
Ata nuk po kërkojnë privilegje. Ata po kërkojnë një shtet të së drejtës, institucione të pavarura, drejtësi të barabartë, fundin e korrupsionit dhe një Shqipëri ku qytetarët të mos detyrohen të largohen për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të trajtohet si pronë private e pushtetarëve, si territor interesash oligarkike apo si një pasuri që mund të nxirret në ankandin ndërkombëtar.
Protestat duhet të vazhdojnë! Mosbindja civile paqësore, demokratike dhe kushtetuese duhet të mbetet instrumenti ynë i qëndresës qytetare.
Pa dhunë, pa provokime, pa shkatërrim të pronës publike dhe private, por me vendosmëri, guxim, organizim dhe pjesëmarrje masive.
Sepse një popull që kërkon liri dhe drejtësi nuk mund të heshtet me presion, kërcënime apo dhunë.
Qeveritë nuk janë të përjetshme. Pushteti nuk është pronë personale. Shqipëria u përket shqiptarëve!
Qëndresa jonë duhet të vazhdojë deri në largimin, përmes mjeteve demokratike dhe kushtetuese, të qeverisjes që ne e konsiderojmë përgjegjëse për kapjen e shtetit, korrupsionin dhe degradimin e institucioneve.
ASNJË HAP PAS NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË!
ASNJË KOMPROMIS ME KORRUPSIONIN DHE ABUZIMIN ME PUSHTETIN!
PROTESTË PAQËSORE DHE MOSBINDJE CIVILE DEMOKRATIKE DERI NË RIKTHIMIN E SHTETIT TE QYTETARËT!
🇦🇱 ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT KUDO QË JANË! 🇦🇱
Dr. Dritan Demiraj
Kolonel (R), ish-Ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë
Opinione “Shqipëria nuk është pronë e regjimit, Policia e Shtetit nuk mund të...



