Alarm në Bardovc: Për 40 shtretër janë të sistemuar 97 pacientë!

Reparti gjyqësor në Spitalin Psikiatrik të Bardovcit po përballet me mbingarkesë serioze. Edhe pse kapaciteti është vetëm 40 shtretër, aktualisht aty janë të sistemuar 97 pacientë, njofton drejtori i institucionit, Hisa Abdullai.

Sipas tij, kohët e fundit është shtuar numri i personave të dënuar që dërgohen në këtë repart për trajtim psikiatrik dhe vuajtje të dënimit.

Në repart mbahen rastet më të rënda, ndërsa pacientët e tjerë, përfshirë personat e dënuar për dhunë familjare dhe vepra më të lehta, sistemohen edhe në repartet e tjera të spitalit.

Për shkak të mbingarkesës, drejtori ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm është planifikuar rinovimi i repartit gjyqësor.

Sipas procedurave ligjore, trajtimi i detyrueshëm psikiatrik në institucion shëndetësor caktohet nga gjykata, pas vlerësimit profesional të ekspertëve psikiatër.

Çështja e sigurisë në këtë repart është rikthyer në vëmendje edhe pas një incidenti të vitit të kaluar, kur një përleshje mes dy të dënuarve në Bardovc përfundoi me vdekjen e njërit prej tyre.