Sofia e prerë: Nuk pranon rinegocimin e kushteve për Maqedoninë e Veriut drejt BE-së

Bullgaria nuk pranon rihapjen e negociatave për kushtet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së vitit 2022.

Ministrja e Jashtme bullgare, Velislava Petrova-Çamova, deklaroi në Parlament se Sofja nuk pranon ndryshimin e detyrimeve të dakorduara dhe as shtyrjen e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese deri pas anëtarësimit në BE. Ajo kërkoi që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Deklarata vjen pas takimit të saj me homologun maqedonas, Timço Mucunski, në Sofje, më 8 tetor. Takimi nuk solli afrim të qëndrimeve për çështjet që po e bllokojnë procesin eurointegrues.

Shkupi kërkon garanci se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë bllokada të reja dypalëshe, ndërsa Sofja insiston që kuadri aktual i negociatave të zbatohet pa ndryshime.

Ndërkohë, edhe Komisioni i përbashkët historik nuk ka shënuar përparim në takimin e fundit. Takimi i radhës është planifikuar për fillim të nëntorit.

Pavarësisht vazhdimit të dialogut diplomatik, perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet e bllokuar nga mospajtimet me Bullgarinë.