Konvikti studentor “Stiv Naumov” në Shkup është vënë sot në përdorim pas rikonstruksionit të plotë, duke siguruar 1.150 shtretër për studentët.
Rinovimi është pjesë e projektit më të gjerë për rikonstruksionin dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik të konvikteve shtetërore, me mbështetje financiare nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimi Evropian.
Konvikti në Autokomandë është një nga dy objektet e para që rinovohen plotësisht në kuadër të këtij projekti, së bashku me konviktin “Kuzman Josifovski – Pitu”, i cili pritet të hapet së shpejti.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ambasadori i BE-së Mihalis Rokas dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Mickoski tha se konvikti i rinovuar ofron kushte bashkëkohore për studentët, ndërsa me hapjen e objektit të dytë pritet të sigurohen gjithsej mbi 1.500 shtretër me standarde evropiane.
Hapja bëhet në kohën kur janë publikuar edhe rezultatet e konkursit për pranimin e studentëve në konviktet shtetërore për vitin akademik 2026/2027. (plusinfo.mk)





