Drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik – Krushevë, Miha Oxhaklieski, sot ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra, duke theksuar se vendimi është një akt personal, moral dhe etik, si dhe shprehje e përgjegjësisë ndaj institucionit dhe publikut, përcjell TV21.
Dorëheqja e Oxhaklieskit vjen pas reagimeve në opinion lidhur me xhirimin e videoklipit “Sexy Mama” nga reperi kosovar Don Xhoni, brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, i cili është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.
Në dorëheqjen e tij, Oxhaklieskit thekson se në rastin konkret nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër, dhe as nuk është vepruar në kundërshtim me ndonjë vendim të miratuar nga Bordi Drejtues i institucionit. Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë që ishte pjesë e një praktike tashmë të vendosur dhe të zbatuar më parë në institucion.
Megjithatë, siç thekson ai, drejtimi i një institucioni publik nënkupton përgjegjësi që nuk kufizohet vetëm në respektimin e normave ligjore, por kërkon edhe standarde të larta morale dhe etike, veçanërisht kur bëhet fjalë për besimin e publikut.
“Edhe pse nuk ka pasur qëllim për të shkelur ligjin, rregulloren apo ndonjë vendim, është bërë një lëshim i paqëllimshëm në vlerësimin e mënyrës se si një procedurë e caktuar mund të kuptohet nga publiku. Për këtë ndiej përgjegjësi morale dhe për këtë arsye e paraqes dorëheqjen”, thuhet në dorëheqjen e Oxhaklieskit.
Ai i ka kërkuar gjithashtu falje publikut për paqartësinë e krijuar dhe për lëshimin e paqëllimshëm, duke theksuar se kërkesa për falje është shprehje e respektit ndaj qytetarëve dhe institucionit të cilit i ka shërbyer.
“Muzeu Historik Kombëtar – Krushevë është një institucion me rëndësi të veçantë për kujtesën tonë kulturore dhe historike. Reputacioni i tij dhe besimi i publikut janë më të mëdha se çdo funksion dhe çdo individ që për një periudhë të caktuar e ushtron atë funksion”, thuhet në dorëheqje.
Oxhaklieski thekson se dorëheqjen e paraqet me ndërgjegje të pastër sa i përket përgjegjësisë ligjore, por me vetëdije të plotë për përgjegjësinë morale që mbart pozita e drejtorit të një institucioni publik.
Me këtë akt, siç thekson ai, i jep përparësi reputacionit dhe interesit të institucionit, përpara mbajtjes personale të detyrës.






