Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sot mirëpriti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Tij, z. Florian Qehaja.
Në takim u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave të Gostivarit dhe Kosovës, veçanërisht përmes shkëmbimit ekonomik, kapitalit njerëzor dhe forcimit të lidhjeve institucionale.
Kryetari Limani theksoi se Komuna e Gostivarit ka bashkëpunim të vazhdueshëm me komunat e Kosovës, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një lidhje të natyrshme dhe të rëndësishme ndërmjet dy vendeve dhe komuniteteve.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet politike në rajon, rëndësinë e orientimit properëndimor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, u theksua se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian është një vlerë e rëndësishme për stabilitetin, zhvillimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Takimi u zhvillua në frymën e forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale të Gostivarit dhe Kosovës.



