Një pjesë e ilaçeve të sekuestruara në aksionin kundër një grupi të dyshuar kriminal ishte destinuar për tregun e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesa tjetër për një shtet fqinj, deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Në aksionet e zhvilluara në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, policia sekuestroi mbi 100 mijë euro, 16 pllaka me ngjyrë ari, cigare, duhan, ilaçe dhe suplemente që dyshohet se ishin futur ilegalisht në vend.
Sipas Toshkovskit, aksioni është rezultat i një hetimi më të gjatë dhe i provave të siguruara nga telefonat e sekuestruar më herët. Ai tha se operacioni është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Publike dhe se me të është ndërprerë veprimtaria e mëtejshme e grupit të dyshuar.
Gjashtë persona u arrestuan, ndërsa kallëzim penal është ngritur ndaj gjithsej tetë personave nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia. Hetimet për rastin vazhdojnë.



