Plantacion i fshehtë me 680 kilogramë kanabis në Strumicë, dy të arrestuar

Policia ka zbuluar një plantacion ilegal kanabisi në lokalitetin “Matnik”, në territorin e fshatit Sekirnik të Strumicës, ndërsa dy persona janë arrestuar.

Sipas MPB-së, të dyshuarit, të moshës 34 dhe 30 vjeç nga Komuna e Novo Sellës, kishin përgatitur tokën dhe në maj të këtij viti kishin mbjellë kanabis me qëllim prodhimin e marihuanës.

Gjatë aksionit janë sekuestruar bimë kanabisi me peshë totale prej rreth 680 kilogramësh.

Dy të dyshuarit janë ndaluar në Stacionin Policor të Strumicës dhe pas kallëzimit penal janë nxjerrë para gjyqtarit të procedurës paraprake.